– “Shiko çfarë shembujsh sjellin për ty.“ – Këto janë modelet e tyre. Përse të mos ishte melek? Më mirë të mos kishte cilësi njerëzore! Përse, të paktën, të mos shoqërohej nga ndonjë melek, sepse i vetëm ai është i pafuqishëm për këtë detyrë që pretendon (profetësinë)?! Përse të mos i jepej atij ndonjë thesar, ose t’i jepej ndonjë kopsht plot begati, që të ishte i pasur dhe të mos kishte nevojë të dilte nëpër tregje si njerëzit e tjerë?! Ai është një njeri i magjepsur dhe i çmendur. Këto ishin disa nga trillimet e tyre, për të justifikuar mosbesimin në këtë Profet dhe në Shpalljen e tij.
– “Por (me këtë) ata humbën (shumë larg) dhe ata kurrë nuk mund ta gjejnë rrugën e drejtë.“ – Të gjitha këto janë fjalë e pretendime kontradiktore, që tregojnë për injorancën e tyre të thellë, mendjelehtësinë e pashembullt dhe devijimin e largët nga e vërteta. Në të gjitha këto pretendime e trillime nuk duket asnjë fije udhëzim dhe dëshirë për të gjetur rrugën e drejtë dhe për të pranuar të vërtetën. Madje, ato nuk vlejnë as si dyshime që mund të merren për bazë nga mendja e shëndoshë. E si mund të cenosh profetësinë e këtij njeriu të zgjedhur me të tilla pretekste boshe e qesharake?
Mjafton t’i shohësh me një shikim të shpejtë për të kuptuar se sa të kota dhe të pavlera janë ato pretekste, për t’i refuzuar ato. Prandaj i Madhëruari i solli në Kur’an këto pretekste të mohuesve dhe na urdhëroi që të meditojmë në to dhe të gjykojmë me qetësi: a tregojnë ato cenim të profetësisë e besnikërisë së Profetit dhe a e cenojnë vërtetësinë e Shpalljes? A mund të përdoren si pretekst për të mos besuar Shpalljen dhe për të mos ndjekur Profetin Besnik? Sidoqoftë, përveç kësaj, i Lartësuari na njofton se Ai është i Plotpushtetshëm që t’i japë Profetit të TIj mirësi të shumta në këtë botë. Ai thotë: