– “Ata që nuk besojnë, thonë: “Ky (Kur’ani) është veçse një gënjeshtër, që ai (Muhammedi) e trilloi dhe për këtë e kanë ndihmuar edhe njerëz të tjerë.”. – Allahu i Lartësuar na tregon për fjalët e mohuesve në lidhje me Kur’anin dhe Profetin, fjalë të cilat tregojnë mohimin e tyre. Duke gënjyer, ata thonë se Kur’ani është një mashtrim, të cilin e trilloi Muhamedi (a.s), duke pretenduar se e ka shpallur Allahu.
Gjithashtu, ata pretendojnë se, për këtë çështje, Muhamedin (a.s) e kanë ndihmuar edhe njerëz të tjerë. Por Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë pretendim, duke ua bërë të qartë se kjo është veç shprehje e mendjemadhësisë, një trillim dhe padrejtësi e madhe. Madje është një trillim që asnjë mendje nuk mund ta pranojë, e aq më tepër ata njerëz të cilët ishin mëse të informuar rreth gjendjes së Profetit (as.), sinqeritetit dhe çiltërsisë së tij të plotë.
Ata e njihnin shumë mirë që ky Profet ishte një besnik i pashembullt dhe bamirës i pashoq. Pastaj është e pamundur që ai dhe ndonjë krijesë tjetër të mund të sjellë ndonjë Kur’an të tillë, i cili pa dyshim është fjala më e zgjedhur dhe më e lartë. Dihet mirë, gjithashtu, se Profeti (a.s) kurrë nuk është bashkuar me njëri që ta ndihmojë për një gjë të tillë. Këto janë thjesht fjalë të gënjeshtërta dhe të thëna padrejtësisht.
– “Në të vërtetë janë ata që bënë një padrejtësi të madhe dhe një shpifje (të ulët).“ – Ndër fjalët dhe trillimet e shumta rreth Kur’anit është edhe ajo që ata thanë: