– “Atëherë faleni rregullisht namazin dhe jepeni zekatin …“ – Allahu i Lartësuar urdhëron për ta përkryer namazin duke plotësuar në mënyrën më të mirë shtyllat, kushtet, detyrat e synetet e tij, si dhe edukatën e shpirtin e namazit, qoftë në lidhje me fjalët dhe veprat e shfaqura, qoftë me ato të brendshme e të fshehta. Ai na urdhëron edhe për të dhënë zekatin prej pasurisë që Zoti na bëri kujdestarë dhe na i la në dorën tonë.
Duhet të shpenzojmë nga mirësitë që na ka dhënë Zoti e t’ua japim të varfërve dhe çdo kategorie në nevojë, ashtu siç na udhëzon i Gjithëmëshirshmi. Këto dy punë, namazi dhe zekati, janë dy adhurimet më të mëdha, që i përkushtohen Zotit në shenjë bindjeje ndaj Tij. Madje, ato janë treguesit më të mëdhenj të bindjes ndaj Allahut, sepse janë plotësim i hakut të Allahut dhe i hakut të krijesave. Ato tregojnë sinqeritetin ndaj të Adhuruarit të vetëm me meritë, Allahut të Madhëruar, dhe tregojnë bamirësinë ndaj krijesave. Pastaj Allahu i Madhëruar na jep një urdhër të përgjithshëm:
– “… dhe bindjuni të Dërguarit që të mëshiroheni!“ – Bindjuni urdhëresave të tij dhe largojuni ndalesave të tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Kush i bindet Profetit, i është bindur Allahut. Por kush e refuzon, (dije se) Ne nuk të kemi dërguar ty si mbikqyrës të (punëve të) tyre.” [Nisa 80]. Nëse e bëjmë këtë, atëherë Ai premton: “…që të mëshiroheni.” Atëherë, ai që dëshiron mëshirën, le ta dijë se kjo është rruga e arritjes së saj. Nga ana tjetër, ai që kërkon ta arrijë mëshirën e Zotit dhe shpreson që Ai ta përfshijë në të, pa falur namazin, pa dhënë zekatin e pa iu bindur Profetit, ai është mashtrues dhe ëndërron me sy hapur. Ai vetëmashtrohet nga ëndrra të kota dhe të paqena.