Select Page

– “E në qoftë se ata e kanë vendosur për divorcim…” – Nëse burri, pas mbarimit të katër muajve, nuk i kthehet marrëdhënieve normale, atëherë kjo fakton se ai është i vendosur për t’u ndarë. Kjo tregon se ai nuk ka më dëshirë kundrejt gruas së vet. Në këtë rast, bëhet i detyrueshëm divorci. Edhe nëse burri refuzon një gjë të tillë, atë e kryen gjykatësi me forcën e ligjit.

– “Allahu Dëgjon e Di gjithçka.” – Ky është një kërcënim i ashpër për ata që betohen kështu veçse për të dëmtuar gruan dhe për t’i shkaktuar vuajtje asaj. Ajeti i mësipërm tregon se ky lloj betimi funksionon vetëm kur bëhet për bashkëshorten, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “Për ata që betohen se do të ndahen prej grave të tyre” (pra, jo prej skllaveve). Gjithashtu, ky ajet dëshmon se është e detyrueshme kryerja e marrëdhënieve seksuale me gruan të paktën një herë në katër muaj, sepse pas katër muajve ndërprerjeje, burri ose duhet t’i rikthehet marrëdhënieve, ose duhet të ndahet me forcën e ligjit, nëse nuk pranon ta ndajë gruan e vet.