– “Dhe Allahu ka krijuar çdo gjallesë prej ujit.“ – Allahu u kujton robërve të Tij të meditojnë në ato krijesa që i shohin në jetën e tyre dhe faktin se është Ai që i krijoi të gjitha ato krijesa e gjallesa që ndodhen në botë. Lënda bazë e të gjitha atyre është uji, sikurse thotë i Madhëruari: “… ujin e bëmë bazë të jetës së çdo sendi.” [Enbija 30].
Shumë nga gjallesat që shumohen nëpërmjet lindjes pasi femra mbarset nga mashkulli, e kanë fillesën prej uji. Por edhe gjallesat e tokës formohen nga lagështira që gjendet në të. Nuk ka gjë që të mos lindë e formohet nga uji. Edhe pse lënda bazë e ekzistencës është uji, krijesat dhe gjallesat janë të ndryshme e të larmishme. Allahu i Madhëruar thotë:
– “Ka prej tyre që ecin duke u zvarritur me bark, …“ – Siç janë gjarpërinjtë e familja e tyre.
– “… disa ecin me dy këmbë …“ – Siç janë njerëzit e shumë shpendë.
– “… dhe disa që ecin me katër këmbë.“ – Si bagëtitë e kafshët e tjera. Shumëllojshmëria e këtyre gjallesave, edhe pse uji është baza e përbashëkt e tyre, tregon se në këtë botë zbatohet ligji dhe dëshira e Zotit, me pushtetin e sundimin e Tij gjithëpërfshirës.
– “Allahu krijon çfarë të dojë.“ – Ai krijon çfarë krijese të dëshirojë, bashkë me karakteristikat e tyre.
– “Allahu ka Fuqi për çdo gjë.“ – Nga i njëjti ujë dhe e njëjta tokë, Ai nxjerr larmishmëri krijesash e bimësie. Ai thotë: “Në Tokë ka hapësira që qëndrojnë pranë njëra-tjetrës, ka vreshta dhe fusha të mbjella, ka palma që janë me shumë degë, por edhe pa të tilla. Të gjitha ujiten me të njëjtin ujë, por Ne i kemi bërë me shije të veçanta e të dallueshme nga njëra-tjetra. Vërtet, në të gjitha këto ka argumente për njerëzit që kuptojnë.” [Ra’d 4].