– “Dhe (gjendja e tyre) është si errësirat në një det të thellë, të cilin e mbulojnë dallgët mbi dallgë dhe mbi ato janë retë e zeza …“ – Ky është shembulli i dytë për të treguar kotësinë e veprave të mohuesve. Ato janë si: “… është si errësirat në një det të thellë, të cilin e mbulojnë dallgët mbi dallgë dhe mbi ato janë retë e zeza ”
– “Errësira të thella njëra përmbi tjetrën, …“ – Gjithë këto errësira njëra mbi tjetrën. Fillimisht është errësira e detit plot dallgë në thellësitë e tij më të mëdha. Pastaj sipër tij janë errësirat e dallgëve, që përplasen sipër njëra tjetrës. Pastaj sipër tyre, errësira që krijojnë retë e dendura e të zeza. Pastaj sipër kësaj, errësira e natës pa hënë. Aq e thellë është kjo errësirë e krijuar, saqë:
– “… sa që njeriu nuk mund ta shohë as dorën e vet.“ – Edhe pse dorën e ka pranë, nuk mund ta shohë. Atëherë, çfarë mund të shohë më larg?! Kështu janë mohuesit e Zotit, të shpalljeve e profetëve të Tij. Zemrat e tyre janë mbuluar nga shtresa të shumta e të dendura errësire njëra mbi tjetrën. Fillimisht është natyra e tyre e përlyer dhe e devijuar. Nga ajo natyrë nuk vjen gjë e mirë.
Mbi të është errësira e mohimit të Zotit. Sipër saj, errësira e injorancës. Mbi këto janë errësirat e shumta të veprave të këqija, që shkaktohen nga ato që u përmendën më sipër. Ata përhumben mes këtyre errësirave. Ata janë të dehur e të përhumbur dhe nuk e gjejnë dot rrugën. Ata ikin larg e më larg udhës së drejtë, të luhatur e të pasigurt. Kështu ndodh kur Zoti të braktis dhe të privon nga drita e Tij:
– “Atij të cilit Allahu nuk i jep dritë, nuk ka për të pasur dritë.“ – E si mund t’ia japë dritën këtyre shpirtrave të errët, të padrejtë dhe kryeneçë, me injorancën e tyre. Në këta shpirta nuk ka mirësi dhe dritë dhe as pranim të dritës dhe mirësisë. Nuk ekziston asnjë dritë dhe mirësi tjetër përveç atyre që Allahu ia fal robit. Ai ua jep dritën dhe mirësinë e Tij vetëm atyre që dëshiron. Këta ishin dy shembuj për veprat e mohuesve. Ka mundësi që këta dy shembuj të jenë sjellë për të treguar se veprat e tyre janë të ngjashme me këta dy shembuj. Por ka mundësi që shembulli i parë të jetë për veprat e prijësve dhe i dyti për veprat e ndjekësve e pasuesve. Allahu është më i ditur.