– “Allahu është Drita e qiejve dhe e tokës.“ – Ai është dritë fizike, konceptuale e shpirtërore. Allahu është Nur në veten e Tij. Sikur të mos ishte butësia e mëshira ndaj krijesave, rrezatimi i dritës së fytyrës së Tij do të digjte çdo gjë ku shkon shikimi i Tij, pra, të gjitha krijesat. Ai është Dritë dhe me të është ndriçuar e shkëlqen Froni i Tij, Kursija, Dielli, Hëna. Ai është Dritë, me të cilën vezullon dhe shkëlqen përjetësisht Xheneti.
Po kështu edhe drita shpirtërore, për të cilën ka nevojë njerëzimi, e ka burimin nga drita e Zotit. Librat e shpalljet e Tij janë dritë, edhe Sheriati i Tij është dritë. Imani dhe dituria e thellë që gjendet në zemrat e profetëve dhe adhuruesve të Tij besimtarë është dritë. Sikur të mos ishte kjo dritë nga Zoti, errësirat do të mbulonin gjithçka, duke u dendësuar njëra mbi tjetrën. Çdo gjë që është e privuar nga Nuri i Tij, është në errësirë të thellë, e ngushtuar e në mangësi të plotë. Allahu i Lartësuar thotë:
– “Shembulli i Dritës së Tij i ngjason një kandili …“ – Allahu i Lartësuar jep një shembull për dritën e Tij, pra, dritën e imanit e të Kur’anit në zemrat e besimtarëve. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit
– “… të vendosur në një zgavër të errët.“ – Zgavra e mbledh dhe nuk e lë të humbasë e të largohet drita. Ai kandil ndodhet brenda një kristali, i cili, ngaqë është shumë i kthjellët e i pastër, duket sikur vezullon e shndrit. Allahu thotë:
– “Kandili është brenda një qelqi e qelqi, si të ishte yll i shndritshëm. Ai (kandili) ndizet prej (vajit të) një Druri të bekuar, – prej ullirit, që nuk mund të quhet as i Lidjes e as i Perëndimit e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri.“ – Pra, shndërrohet në një smerald vezullues. Ky kandil brenda llampës së kristaltë ndizet e ndriçon “…prej një druri të bekuar”, pra, nga vaji i ullirit, i cili jep zjarrin me ndriçim. Allahu e përshkruan këtë pemë të begatshme duke thënë: “… nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit.” Pra, atë e kap dielli jo vetëm në fillim të ditës, por edhe në fund të saj. Të tillë janë ullinjtë e Shamit. Ata janë shumë të këndshëm dhe vaji që del prej tyre është shumë i kulluar: “…e vaji i të cilit gati ndriçon edhe pa e prekur zjarri”, ngaqë është shumë i kulluar. Kur digjet, ai lëshon shumë dritë.
– “Dritë mbi dritë!“ – Pra, ndriçimi i vajit dhe ai i zjarrit. Ky është një shembull që Allahu jep për të treguar gjendjen e zemrës së besimtarit dhe dritës së Tij në këtë zemër. Kështu, natyrshmëria e pastër, në të cilën e krijoi Zoti njeriun është si ai vaji i kulluar e i pastër. E tillë është natyra në të cilën Zoti i krijoi njerëzit. Kur është e pastër dhe e kulluar, ajo është e gatshme që të mësojë udhëzimet hyjnore, të pranojë ligjin e Zotit e të jetojë sipas tij. Kur i vjen dituria dhe imani i pastër, asaj i ndizet drita, që e ndriçon fort. Kjo i ngjan ndezjes së fitilit të kandilit, që është i lagur me vaj të pastër e të kulluar.
Zemra e robit është e kulluar dhe e pastër nga synimet e këqija. Nëse zemra është e pastër dhe e papërlyer, ajo i kupton qartë mesazhet e Zotit. Kur në këtë zemër të kulluar ndizet zjarri i imanit, ajo lëshon një dritë të fortë, që ndriçon edhe ata rreth e rrotull saj. Kjo i ngjan llambës, që shpërndan dritën që vezullon brenda saj. Tek ky njeri bashkohen drita e natyrshmërisë së pastër, drita e imanit, drita e diturisë së Shpalljes, drita e njohurisë së Zotit dhe pastërtia që ajo i sjell shpirtit. Dritë mbi dritë. Por duke qenë se të gjitha këto lloje dritash janë prej dritës së Zotit, që jo çdokush e meriton ta ketë, Allahu i Madhëruar dhe i Urtë thotë:
– “Allahu udhëzon drejt Dritës së Vet atë që do Ai.“ – Ai udhëzon në këtë Nur ata, pastërtinë dhe vlerat e të cilëve i di mirë. Ai u jep dritë, që të pastrohen dhe të rregullohen veprat e gjendja e tyre.
– “Ja kështu, Allahu sjell shembuj për njerëzit …“ – Në mënyrë që njerëzit të logjikojnë e të kuptojnë mesazhet e Tij. Kjo është mëshira e butësia e Zotit me robërit, bamirësia e Tij ndaj tyre. Kështu ua sqaron Ai të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e gabuara. Shembujt e sjellin njeriun më pranë kuptimit të gjërave. Përmes shembujve, çështjet konceptohen e bëhen të qarta, njëlloj si ato të prekshmet nga shqisat, dhe njeriu qetësohet plotësisht rreth tyre.
– “… dhe Allahu Di gjithçka për çdo gjë.“ – Dituria e Allahut ka përfshirë gjithçka dhe shembujt që Ai sjell i di me hollësi. Ai e di mirë se shembujt janë të dobishëm për krijesat, të cilët duhet të përpiqen që të logjikojnë dhe meditojnë me kujdes rreth tyre e jo t’u kthejnë shpinën, t’i lënë në harresë ose t’i kundërshtojnë. Allahu e di dhe ata nuk e dinë.