– “Allahu nuk ju merr në përgjegjësi për betimet tuaja të paqëllimta, por për ato që i bëni qëllimisht me gjithë zemër.” – Pra, Allahu i Lartësuar nuk na merr në përgjegjësi për ato betime që dalin shpesh nga goja, pa pasur qëllim betimin. Të tilla janë disa shprehje të zakonshme, si: “Jo, për Zotin” ose: “Po, për Zotin.” etj., që njerëzit i thonë rëndom, pa pasur si qëllim betimin. Ky ajet tregon, gjithashtu, se për fjalët që njeriu thotë, ashtu si edhe për veprat që ai kryen, duhet të merret në konsideratë qëllimi që ai ka me to.
– “Allahu është Falës i madh dhe i Butë.” – Ai është Falës i madh (Gafûrun), që ia mbulon gjynahet atij që pendohet dhe kthehet tek Ai. Allahu është i Butë (Halîmun), që nuk nxitohet të dënojë atë që bën gabime ndaj Tij. Ai e mëshiron dhe ia mbulon gjynahet robit të Tij, edhe pse është i Plotfuqishëm për ta ndëshkuar, me drejtësinë e Tij.