– “Thuaju besimtareve të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar)…“ – Pasi i urdhëroi besimtarët që të ulin shikimet dhe të ruajnë dëlirësinë, Allahu i Madhëruar porosit për këtë edhe besimtaret: “Thuaju edhe besimtareve të frenojnë disa lloj vështrimesh”. Pra, edhe ato ndalohen që të shohin vendturpin e burrave të huaj dhe t’i shohin ata me epsh apo me vështrime të palejueshme.
– “… dhe të ruajnë nderin e tyre, …“ – T’i ruajnë me kujdes, që të mos kryejnë marrëdhënie haram, por as të mos preken apo të shihen nga ata që nuk lejohet.
– “… të mos i zbulojnë stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme!“ – Të mos lejojnë që të shikohen zbukurimet e tyre, siç janë rrobat e bukura dhe stolitë. Në fakt, i gjithë trupi i gruas është një ‘stoli’, që duhet mbajtur fshehur dhe mbuluar. Por duke qenë se rrobat që e mbulojnë do të duken patjetër, atëherë Allahu tha: “përveç atyre që janë të dukshme!” Pra, bëhet fjalë për rrobat e jashtme, që mbulojnë të gjitha stolitë e rrobat e bukura të brendshme. Rrobat e jashtme nuk duhet të tërheqin vëmendjen, por të jenë sa më normale dhe të mbulojnë mirë trupin.
– “Le të hedhin shamitë mbi kraharorin e tyre …“ – Kjo bëhet që të arrihet një mbulim sa më i plotë. Kjo tregon se “bukuritë” që duhen mbuluar dhe nuk duhen shfaqur përfshijnë të gjithë trupin, sikurse përmendëm më lart. Pastaj përsëritet edhe njëherë ndalimi për shfaqjen e bukurive e zbukurimeve, duke përjashtuar disa raste, si më poshtë:
– “… dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt, përveçse burrave të vet, etërve të vet ose etërve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, …“ – Kategoritë e përjashtuara janë:
– Bashkëshortët, baballarët e tyre ose baballarët e burrave të tyre, e po kështu edhe gjyshërit e çka sipër tyre.
– Fëmijët, djemtë e tyre dhe djemtë e burrave të tyre, e çka poshtë tyre, nipër e stërnipër.
– “… vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, …“ – Vëllezërit e tyre ose bijtë e vëllezërve të tyre, qofshin nga babai e nëna bashkë, qofshin vetëm nga njëra anë.
– “… djemve të motrave të veta, …“ – Bijtë e motrave të tyre.
– “ose grave të tyre …“ – Pra, gratë mund të shohin njëra tjetrën. Këtu mund të jetë qëllimi të gjitha gratë, qofshin besimtare ose jo. Por ka mundësi që të jetë për gratë besimtare, gjë që kuptohet nga përkatësia e thënë në ajet “gratë e tyre”. Pra, gratë që janë nga lloji juaj. Kështu argumentojnë ata që thonë se një grua muslimane nuk duhet të shihet nga një jomuslimane (dhim-mijeh) që jeton në shtetin islam.
– “… dhe robëreshave, të cilat i kanë në zotërimin e tyre,… – Domethënë, edhe skllavi lejohet të shohë zonjën e tij, nëse ai është tërësisht nën pronësinë e saj. Por nëse ai nuk është më pronë e saj ose pjesërisht bëhet pronë e dikujt tjetër, atëherë nuk lejohet më që ta shohë atë.
– “… ose shërbëtorëve që nuk ndiejnë nevojë për femrat,… – Bëhet fjalë për ata burra që ju shërbejnë juve dhe të cilët nuk janë të dhënë pas epsheve, ose sepse janë të mangët në mendje dhe nuk dinë ç’bëhet, ose e kanë humbur këtë ndjesi, ose nuk kanë epsh ndaj femrave as në trupin e tyre e as në zemër. Edhe këta nuk ndalohen që të shohin.
– … ose fëmijët që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. – Fëmijët që janë nën moshën e pjekurisë e të dallimit. Edhe këtyre u lejohet të shohin gratë e huaja. Allahu i Madhëruar e justifikon lejimin duke thënë: “nuk e kanë arritur pjekurinë për gra.” Ata nuk kanë arritur të dallojnë me epsh bukurinë e femrave. Ata nuk dinë gjë në këtë aspekt e nuk mendojnë për të, sepse ata nuk kanë epsh. Kjo tregon se, nëse fëmija ka arritur moshën e pjekurisë, gruaja duhet të ruhet nga shikimi i tij, sepse ai arrin të dallojë me epsh bukurinë e femrës.
– “Dhe të mos përplasin këmbët për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve për stolitë e tyre të fshehta.“ – Femrat të mos përplasin këmbët e tyre për tokë gjatë ecjes, që të ndihen stolitë që veshin nëpër gjymtyrë, si ato që lëshojnë zë kur ecën me nxitim. Në këtë rast, të tjerët i kuptojnë zbukurimet e fshehura dhe tek ta nxitet epshi. Në këto ajete e të tjera, flitet për atë që quhet “sed el dheria“, pra, marrja e masave për mbylljen e rrugëve të së keqes, ose ligjet parandaluese të së keqes.
Nëse një çështje të çon në haram, ajo bëhet vetë haram, edhe nëse në origjinë është e lejuar. Kështu, përplasja e këmbëve në tokë është e lejuar në vetvete, por duke qenë se nga kjo zbulohen stolitë që ka veshur gruaja dhe shkakton provokim e fitne tek të tjerët, bëhet e ndaluar. Allahu i Madhëruar u ka dhënë besimtarëve e besimtareve urdhëresa të bukura dhe të vyera. Por, sigurisht, besimtarët do të kenë mangësira në zbatimin e tyre, prandaj Allahu i Madhëruar urdhëroi për pendim dhe tha:
– “O ju që keni besuar! Pendohuni të gjithë tek Allahu, që të gjeni shpëtim!“ – Ky është besimtari i vërtetë. Ai gjithmonë shkon drejt pendimit. Aq më tepër që Zoti e lidhi ngushtë fitoren e shpëtimin me këtë adhurim të veçantë – pendimin e sinqertë. Ai tha: “… Pendohuni të gjithë tek Allahu, që të gjeni shpëtim.” Pra, nuk ka asnjë mundësi tjetër shpëtimi, veçse duke u penduar, duke hequr dorë nga gjithçka që Zoti nuk e do, qofshin ato të dukshme apo të fshehura, dhe të kthehesh tek Ai me vepra të mira që Ai i do, qofshin këto vepra të mira, të dukshme apo të fshehura.
Kjo tregon se çdo besimtar ka nevojë për pendim, sepse Allahu i Lartësuar iu drejtua të gjithë besimtarëve pa përjashtim. Ajeti është nxitje për të qenë të sinqertë në pendimin tonë, sepse Allahu thotë: “Pendohuni të gjithë tek Allahu”. Pra, pendohuni vetëm për hir të Tij e jo për ndonjë qëllim tjetër veç kënaqësisë së Tij. Shpeshherë, njeriu pendohet që thjesht të shpëtojë nga vështirësitë që i krijohen në të për shkak të gjynaheve, ose pendohet që të rregullojë famën dhe figurën e tij ndër njerëz. Kështu synimet dhe qëllimet mund të jenë të shumta, por ajo që kërkohet është që pendimi të bëhet vetëm që të kënaqet Zoti me ty. Besimtari duhet ta kuptojë që kjo është më e mira, sepse nëse Allahu kënaqet me të, atëherë çdo e mirë e dynjasë dhe e ahiretit do t’i afrohet dhe ai do të shpëtojë nga çdo e keqe në të dyja jetët.