– “Thuaju besimtarëve të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) dhe të ruajnë nderin e tyre, sepse kjo është më e pastër për ta!“ – Ai udhëzoi dhe porositi me këto këshilla ata që kanë në zemër iman të tillë që i bën të dëgjojnë e t’i binden. Le ta dinë se këto porosi do t’i ndihmojnë ata për të ruajtur imanin e tyre. Këta janë njerëz që ruhen nga çdo vepër që cenon imanin e tyre. Kështu, Allahu i këshilloi që të ndalin frenojnë dhe ruajnë ruajnë sytë nga paturpësitë dhe gratë e huaja, shikimi i të cilave është i ndaluar. Ai e ndalon shikimin e çdo gjëje që të çon dhe nxit fitne dhe imoralitet. Gjithashtu, ndalohet edhe shikimi i stolive të kësaj dynjaje, që të shtyjnë në gjëra të ndaluara. Pastaj “…dhe të ruajnë nderin e tyre, …”.
Pra, të ruhen nga marrëdhëniet intime jo të lejuara, si marrëdhëniet jashtëmartesore ose marrëdhëniet anale. Madje mos lejo që dikush, që nuk i lejohet, t’i shohë apo prekë vendturpin tënd. Allahu i njofton besimtarët se “…kjo është më e pastër për ta.” Kështu, ruajtja e shikimit dhe vendturpit është më e pastër për ne, se na pastron nga gjynahet dhe na mundëson shumë të mira e begati. Ai që ruan shikimin dhe organin e tij është i pastër nga poshtërsitë me të cilat ndoten ata që bëjnë paturpësi. Nga ana tjetër, punët e tij do të jenë të begatshme dhe të dobishme, sepse ai e ka ruajtur veten nga haramet. Nefsi dhe dëshirat e shfrenuara e tundojnë robin, por kur ai e frenon veten nga paturpësitë, kjo bën që punët e tij të pastrohen dhe ai të lartësohet e rregullohet. Nëse ai lë diçka për hir të Allahut, Allahu do t’ia zëvendësojë me diçka edhe më të mirë se ajo. Ai që e lë shikimin në haram, Allahu ka për t’ia ndriçuar shikimin dhe mendjen e tij. Nëse robi arrin të ruajë shikimin dhe nderin e tij nga harami dhe rrugët që të çojnë në të, me gjithë animin e fortë të nefsit drejt tij, atëherë për çështje të tjera do të jetë, sigurisht, më i aftë për t’i përballuar.
Vini re! Kur Allahu i Madhëruar na ka këshilluar për të ruajtur nderin dhe dëlirësinë (seksuale) ka përdorur fjalën ‘jahfedhu furuxhehum’ – të ruajnë me kujdes vendturpin. El hifdhu është ruajtja në mënyrë të vazhdueshme dhe me shumë kujdes, sepse në asnjë rast nuk lejohet ta shkelësh ligjin në këtë drejtim. Kështu, nëse robi nuk kujdeset në mënyrë të vazhdueshme e vigjilente për ruajtjen e ndershmërisë dhe dëlirësisë, dhe nëse nuk merr të gjitha masat mbrojtëse, nuk mund të arrihet ruajtja e saj. Madje, një pakujdesi në këtë drejtim do të çonte në sprova të forta. Ndërsa kur porositi për ruajtjen e shikimit, tha: “jegud-du min ebsarihim” – të ulin sytë (para asaj që është e ndaluar) pra le të ulin sytë nga disa lloj vështrimesh, jo nga të gjitha”. Të tërheq vëmendjen shprehja min ebsarihim që fjalë për fjalë do të thotë “disa lloj vështrimesh”, e cila tregon pjesë të së tërës. Kjo është bërë për të treguar që jo të gjitha shikimet janë të ndaluara. Në disa raste e kur e lyp nevoja, është lejuar të shohësh diçka, që në kushte të tjera nuk do të lejohej, si për shembull, shikimi i dëshmitarit për identifikim në gjyq, ose për rast martese, kur sheh vajzën para se të vendosësh për martesë etj. Pastaj Allahu i Madhëruar i kujton ata për diturinë e Tij gjithëpërfshirëse rreth veprimeve të tyre.
– “Allahu Di çdo gjë që bëjnë ata.“ – Ai ua përmend këtë që ata të përpiqen më shumë për të ruajtur veten nga haramet.