– “Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush.“ – Në ajetet e mësipërme Allahu i Madhëruar tregoi se sa e dënueshme dhe e keqe është shpifja ndaj grave të pastra e të ndershme. Kjo, në fakt, shërben edhe si parantezë për atë që do të vijë më pas, pra, për historinë e shpifjes ndaj më të pastrës grua, Aishes, vajzës së Sidikut dhe gruas më të dashur të Profetit të Zotit, Allahu qoftë i kënaqur prej saj! Këto ajete u shpallën për shkak të një shpifjeje të madhe, që është shtjelluar në librat e hadithit.136 Në këtë histori tregohet se Profeti (a.s) ishte rrugës në një nga ekspeditat e tij. Me vete kishte dhe Aishen. Në rrugën e kthimit, Aishes i humbet një gjerdan dhe ajo largohet nga kampi për të kërkuar gjerdanin. Ndërkohë, ushtria niset për udhëtimin e kthimit, pa vënë re mungesën e Aishes. Ata e ngritën lart koshin mbi devenë e Aishes dhe nuk e hetuan se Aishja nuk ishte brenda në të, sepse ajo ishte e lehtë dhe e dobët. Ushtria vazhdoi rrugën, ndërkohë që Aishja kishte mbetur pas.
Atëherë, ajo mendoi të qëndronte në vend, duke menduar se, pasi të vinin re mungesën e saj, do të vinin ta merrnin. Pas kishte mbetur edhe Safuan Ibn Muatil el Sulemij, njëri nga më të nderuarit e sahabëve, i cili ishte në gjumë kur ushtria po largohej. Kur u zgjua dhe ushtria ishte larguar, ai e pa Aishen dhe e njohu për së largu. Atëherë ai i afroi asaj kafshën e tij, pa folur asnjë fjalë dhe ajo hipi në të. Pastaj ai vijoi udhëtimin, derisa mbëriti tek ushtria, që tashmë po pushonte në kohën e drekës. Por kjo nuk i shpëtoi shikimit të disa munafikëve, që e shoqëronin Profetin (a.s) në këtë udhëtim. Kaq u duhej këtyre munafikëve për të filluar atë shpifje të madhe. Kështu fjalët u përhapën dhe gjuhët e munafikëve të mbushura me helm e shpifje e përhapën me kënaqësi.
Madje, edhe disa besimtarë u mashtruan nga të tilla fjalë dhe po i përhapnin ato. Ndërkohë, edhe Shpallja vonoi për një kohë disi të gjatë. Pas njëfarë kohe, këto thashetheme mbërrijnë edhe tek Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila u dëshpërua shumë. Por Allahu i Madhëruar shpalli dëlirësinë e Aishes në këto ajete. Ai i qortoi dhe u dha këshilla të shumta besimtarëve. Ai u tregoi atyre se sa e rëndë ishte kjo ngjarje tek Ai dhe u dha atyre porosi të dobishme. Allahu i Lartësuar tha: “Ata që e trilluan shpifjen, janë një grup brenda jush. Pra ata që sollën këtë shpifje të madhe për nënën e besimtarëve, Aishen, janë disa që duken si pjesë e juaja, o besimtarë. Disa prej tyre janë besimtarë të sinqertë në imanin e tyre, por ka edhe munafikë që hiqen si muslimanë, por fshehin hipokrizinë e mosbesimin. Pastaj Ai tha:
– “Ju, kurrësesi mos e mendoni (këtë) se është një e keqe për ju! Përkundrazi, ajo është për të mirën tuaj.“ – Në këtë histori doli në pah pastërtia dhe dëlirësia e Aishes (r.a). Gjithashtu, Allahu solli një mesazh të qartë, se të gjitha gratë e Profetit janë të pastra e të dëlira. Nga kjo histori u vendosën dispozita të domosdoshme, që besimtarët duhet t’i dinë, t’i mësojnë dhe të punojnë me to deri në Ditën e Gjykimit. Të gjitha këto mirësi të shumta, nuk do të dilnin në pah sikur të mos ndodhte kjo histori shpifjeje. Kur Allahu dëshiron diçka, Ai i krijon kushtet për të. Vini re! Në këtë histori Allahu u drejtohet besimtarëve në numrin shumës, duke u dhënë kështu një mesazh të rëndësishëm: shpifja ndaj njëri-tjetrit është cenim për të gjithë bashkësinë. Të mirat dhe të këqijat ju i përjetoni së bashku.
Gjithashtu, është edhe mesazhi tjetër: besimtarët, për sa i përket dashurisë, mëshirës e butësisë së ndërsjelltë dhe përkujdesit për çdo të mirë, janë si një trup i vetëm. Besimtarët dhe besimtaret janë si një ndërtesë, ku secili prej tyre mban tjetrin. Ata forcojnë njëri-tjetrin. Kështu, nëse dikush e urren që të përbaltet vetë me shpifje, po ashtu le të urrejë cenimin e nderit të vëllait të tij besimtar. Le ta trajtojë atë njëlloj si veten e vet. Nëse besimtari nuk ka arritur në këtë gradë të imanit, kjo tregon se imani i tij është ende i mangët dhe po e mangët është dhe vëllazëria islame, e cila kërkon që muslimanët të këshillojnë e të përmirësojnë njëri-tjetrin. Megjithatë, edhe pse kjo histori pati mirësitë e saj në këto aspekte që u përmendën, Allahu thotë:
– “Secili prej tyre do të dënohet sipas pjesëmarrjes në këtë gjynah.“ – Ky është një kërcënim për të gjithë ata që e nisën këtë histori shpifjeje. Ai fatzi ishte munafiku i pështirë me emrin Abdullah Ibn Ubej Ibn Seluli, Allahu e mallkoftë! Për të, Allahu i Madhëruar thotë:
– “Dhe ai që i priu (shpifjes), do të ketë një dënim të madh.“ – Ky dënim është përjetësia në humnerën më të thellë të zjarrit të Xhehenemit. Në vijim, Allahu i Madhëruar i udhëzon besimtarët si të sillen në situata të ngjashme dhe u jep një porosi të vyer. Ai thotë:
136 Vëreni me kujdes shprehjen e tyre: “I Pastër je, o Zoti ynë, nga çdo e metë!” Kjo shprehje tregon një njohje të thellë dhe një lavdërim të madh për Allahun. Allahu i Lartësuar është larg çdo të mete dhe mangësie në emrat, cilësitë, veprat dhe vendimet e Tij. Nuk mund të pranohet që Ai të përzgjedhë për t’i dhënë Pejgamberit a.s., – njeriut më të dashur të Tij, – një grua që bën imoralitet. Kush mendon se Allahu i Madhëruar mund ta bëjë një gjë të tillë, ka menduar vërtet shumë keq për Të. Ata që e njohin thellë Allahun dhe Pejgamberin, e dinë shumë mirë se femrat imorale meritojnë vetëm burrat imoralë, të sojit të tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Gratë imorale janë për burrat imoralë dhe burrat imoralë janë për gratë imorale. Gratë e ndershme janë për burra të ndershëm dhe burrat e ndershëm janë për gra të ndershme. Ata janë të pastër nga shpifjet që thuhen (kundër tyre) dhe do të falen e do të kenë një shpërblim bujar (në Xhenet).” (Nur 26).
Duke shqyrtuar të tilla argumente, ata thanë në mënyrë të prerë se kishin të bënin me një trillim dhe shpifje shumë e madhe. Dikush mund të pyesë: “Përse Pejgamberi a.s. mbajti qëndrim pezull për këtë çështje, duke filluar të pyeste, të kërkonte mendim dhe të këshillohej për të? A nuk ishte ai më njeriu i ditur rreth madhështisë së Allahut, rreth gradës së lartë të tij tek Allahu i Lartësuar?! Pse ai nuk bëri atë që bënë më të zgjedhurit e sahabëve, kur thanë: “I Pastër je, o Zoti ynë, nga çdo e metë! Kjo është një shpifje shumë e madhe!” Atëherë, përgjigjja e këtyre pyetjeve do të shpjegohej me faktin se kjo ishte një sprovë e madhe për Pejgamberin a.s. dhe për të gjithë umetin, deri në Ditën e Gjykimit. Allahu i Madhëruar e bëri këtë ngjarje shkak për të zbuluar shumë urtësi të Tij të mrekullueshme. Vetë sjellja e Pejgamberit a.s. shpalosi shumë bukur Urtësinë e Allahut në përcaktimin e asaj ngjarjeje.
Me atë sprovë Allahu i Madhëruar lartësoi disa njerëz dhe uli disa të tjerë. Atyre që ndoqën Udhën e Drejtë, Allahu i Madhëruar ua shtoi edhe më shumë udhëzimin dhe imanin, ndërsa të padrejtëve u shtoi veçse shkatërrim dhe humbje. Urtësia e Allahut përcaktoi që Shpallja hyjnore, në lidhje me çështjen, të vonohej plot një muaj. Allahu i Lartësuar nuk i shpalli Pejgamberit a.s. asgjë gjatë kësaj kohe, me qëllim që urtësitë dhe planet e të Madhëruarit të plotësoheshin dhe të dilnin në pah sa më mirë. Gjatë kësaj periudhe besimtarëve të sinqertë iu shtua imani, për shkak të dëlirësisë dhe drejtësisë së tyre. Ata menduan veçse mirë për Allahun e Lartësuar, Pejgamberin a.s., familjen e tij dhe për besimtarët e sinqertë. Ndërsa munafikët shtonin dita-ditës shpifjet dhe hipokrizinë e tyre. Allahu i Madhëruar, me anë të asaj ngjarjeje, u shfaqi qartë Pejgamberit a.s. dhe besimtarëve, cilësitë e munafikëve, llumin që rrinte i fshehur brenda tyre. Me atë ngjarje, Allahu i Madhëruar e plotësoi edhe më shumë adhurimin që kërkonte prej të Sinqertës dhe prindërve të saj, ua shtoi atyre mirësinë e Tij. Me atë ngjarje u bë më e fortë lidhja dhe mbështetja e të Sinqertës dhe prindërve të saj tek Allahu i Lartësuar.
Përkushtimi, varfëria dhe nevoja që kjo familje shfaqte ndaj Allahut të Madhëruar, u bënë më të spikatura dhe më të thella. Kjo familje e shfaqi më fort se kurrë mendimin e mirë për Allahun, shpresën ndaj Tij, dhe më shumë se kurrë ata i prenë shpresat prej krijesave. Gjatë këtyre ditëve, bindja e tyre se ndihma vjen vetëm prej Allahut, dhe nuk pritet kurrsesi dhe asgjë prej krijesave, doli më e qartë dhe ndikuese. Të tilla ndjenja u shfaqën haptazi në momentin kur u shpall argumenti i dëlirësisë së saj dhe kur prindërit i thanë: “Çohu dhe falendero Pejgamberin!” Çfarë – tha Aisheja r.a.? Ajo tha: “Për Zotin, unë nuk ngrihem për të shkuar tek ai, dhe nuk falënderoj asnjë tjetër veç Allahut të Madhëruar! Vetëm Ai e solli dhe argumentoi pastërtinë time.” Një nga urtësitë që u fshehën në vonesën njëmujore të shpalljes hyjnore, ishte edhe fakti që çështja të shqyrtohej dhe të bëhej më e qartë, në mënyrë që, në fund, ata ta prisnin me dëshirë të madhe shpalljen e Allahut për Pejgamberin a.s. Vonesa ua shtoi padurimin. Përfytyrojeni gëzimin, kënaqësinë, çlirimin dhe qetësinë e përjetuar nga besimtarët, kur Shpallja zbriti në çastin më të volitshëm. Shpallja zuri vend në shpirtin e tyre, ashtu si shiu në tokën e etur. Nëse Shpallja do të zbriste që në fillesat e ngjarjes, shumë nga këto mësime e urtësi nuk do të shfaqeshin, por do të mbeteshin nën hije.
Gjithashtu, Allahu i Madhëruar, duke e nxjerrë Pejgamberin e tij jashtë kësaj çështjeje, dhe duke e marrë Vetë përsipër mbrojtjen e tij dhe të familjes së tij, tregoi gradën dhe vlerën e lartë të Pejgamberit a.s. dhe të familjes së tij. Pra Allahu i Madhëruar, duke mos e lënë këtë çështje në dorë të Pejgamberit a.s., i poshtëroi hapur armiqtë të Tij, pa qenë e nevojshme që Pejgamberi a.s. të fliste apo të vepronte diçka. Pastaj, nuk ka dyshim, se qëllimi dhe pikësynimi i shpifjeve ishte vetë Pejgamberi a.s., dhe nuk ishte me vend që përgjigjja të kthehej nga vetë ai. E përse duhet të dëshmonte ai për pastërtinë e saj, ndërkohë që kjo nuk ishte e nevojshme, për faktin e thjeshtë se ai kishte dije të mjaftueshme për pastërtinë dhe ndershmërinë e saj, dhe kurrë nuk do të mendonte një gjë të keqe për të. Ai dhe ajo qëndronin shumë lart e larg atyre lloj bisedave. Për këtë arsye, kur ai u kërkoi shpifësve që të kërkonin ndjesë, shtoi dhe tha: “Kush do ta justifikonte qëndrimin tim nëse do të ndëshkojë dikë që më ka munduar duke fyer familjen time? Vallahi, nga familja ime kam parë veçse hajër.
Ata flasin kundër një burri, për të cilin unë di veçse të mira, dhe i cili kurrë nuk ka hyrë në familjen time ndryshe, por veç së bashku me mua.” Për Pejgamberin a.s. kishte argumente dhe shenja që tregonin pastërtinë e të Sinqertës më shumë sesa dinin muslimanët, por, si pasojë e durimit të tij të përsosur, qëndrueshmërisë së tij, butësisë që e karakterizonte, mendimit të mirë për Zotin e tij, sigurisë së plotë dhe besimit të patundur që ai kishte te Zoti i tij, ai heshti. Ai i dha hakun të gjitha gradave të besimit; ai shpalosi të përsosur durimin e tij, qëndrueshmërinë në kohë sprove, mendimin e mirë për Allahun, derisa zbriti Shpallja, që do t’ia qetësonte shpirtin dhe do t’ia gëzonte sytë dhe zemrën. Kjo sprovë e madhe, padyshim, ia ngriti lart gradat dhe vlerat e tij dhe ia qartësoi të gjithë umetit rëndësinë dhe kujdesin e madh që Allahu i Madhëruar tregonte për profetët e tij të zgjedhur dhe të dashur. Pas zbritjes së ajeteve që flisnin për pafajësinë dhe pastërtinë e Aishes, Pejgamberi a.s. urdhëroi të ndëshkoheshin ata që shfaqën haptazi shpifjen. Për shpifësit që akuzojnë femrat e dëlira për imoralitet, dënimi i përcaktuar me ligj ishte 80 goditje me kamzhikë.
Megjithatë, munafiku Ibn Ubej Ibn Seluli, edhe pse ishte koka dhe organizuesi i gjithë kësaj sprove dhe belaje, nuk e mori këtë dënim, dhe kjo për shumë arsye. Disa thonë se, meqë ndëshkimet që parashikon Sheriati janë për të pastruar të dënuarit nga pesha e fajit, që në këtë jetë, atëherë i poshtri Ibn Ubej nuk ishte nga ata që e meritonte një nder dhe mirësi të tillë. Allahu i Lartësuar e kërcënoi atë për një ndëshkim të madh në jetën tjetër, gjë që i mjaftonte shumë mirë në vend të kamzhikëve. Sipas një shpjegimi tjetër, shkak për këtë ishte fakti se ky munafik, në të vërtetë, shpifte e trillonte dhe i shpërndante ato në forma pyetjesh dhe aludimesh, në mënyrë që të tjerët të kuptonin atë që ai dëshironte dhe që rrjedhimisht, askush të mos mundej të dëshmonte kundër tij se kishte trilluar. Kështu pra, munafiku i poshtër shpifte duke përdorur forma tepër të maskuara. Një mendimi tjetër thotë se ndëshkimi zbatohet vetëm pas pranimit të fajit nga i pandehuri ose në prani të fakteve dhe dëshmive që vërtetojnë fajin, faktorë që asnjëri nuk u plotësua tek ai. Ai nuk pranoi ndonjëherë se kishte shpifur dhe askush nuk dëshmoi kundër tij, sepse trillimet ai i lëshonte hapur vetëm kur ishte mes shokëve të tij të besës dhe jo mes besimtarëve.
Gjithashtu thuhet që e drejta për të kërkuar shpagim për shpifjen, është e drejtë që i takon njeriut kundër të cilit shpifet, kështuqë ku dënim jepet veçse kur e kërkon i dëmtuari. Por edhe nëse do të pranonim se ndëshkimi i shpifësit është një detyrim karshi Allahut të Lartësuar, çka do të thotë se nuk mund të mënjanohet, përsëri shpagimi duhet kërkuar domosdoshmërisht nga njeriu kundër të cilit është shpifur, dhe dihet që Aisheja nuk kërkoi të ndëshkohej Ibn Ubeji. Disa të tjerë kanë thënë që ndëshkimi kundër tij u la për hir të një dobie më të madhe sesa ekzekutimi i ndëshkimi ndaj tij. Në të njëjtën mënyrë Pejgamberi a.s. ka vepruar me Ibn Ubejin dhe në rastet kur ka shfaqur haptazi dyfytyrësinë në lidhje me fenë, e madje disa herë ka merituar vrasjen. Ai ka merituar të vritet disa herë për fjalët që thoshte, por, për shkak të famës dhe pozitës që gëzonte mes fisit të tij, ishte më e dobishme që të mos ndodhnin këto ndëshkime. Kjo bëhej, me qëllim që fisi i tij të afrohej edhe më shumë në Islam, dhe jo të largohej i nxitur nga urrejtja dhe hakmarrja që mund të shkaktonte vrasja e një përfaqësëuesi të elitës së tyre. Megjithatë, ndoshta ndëshkimi i tij u la për të gjitha këto arsye të marra së bashku. Ata që u gjykuan dhe që e morën dënimin sipas ligjit, ishin Mistah Ibn Ethathe, Hasan Ibn Thabiti dhe Hamnete, e Bija e Xhahshit. Këta ishin besimtarë të sinqertë, prandaj ky ndëshkim u shërbeu si pastrim dhe si shlyerja e fajit që në këtë dynja. Ndërsa Abdullah Ibn Ubeji atëherë u la sepse nuk i ishte i denjë për atë pastrim.