– “Kjo, për shkak se Allahu e zbriti Librin me të vërtetën e sigurt …” – Ky shpagim i drejtë që u bëhet tyre, duke mos u dhënë sukses të gjejnë udhën e drejtë, ka një shkak: se Allahu i Lartësuar e zbriti Librin me të vërtetën e pakundërshtueshme. Një e vërtetë e padiskutueshme është fakti që, vepërmirët do të shpërblehen me të mira dhe vepërkëqijtë do të marrin atë që u takon. Nëpërmjet të vërtetës së sigurt dallohet udhëzimi i drejtë nga rrugët e humbjes. Për këto arsye, kush përpiqet të ndryshojë Librin e Zotit dhe qëllimet e Tij, meriton ndëshkimin më të madh.
– “… por ata që polemizuan (padrejtësisht) rreth tij, janë të përçarë e shumë larg nga e vërteta.” – Domethënë, ata të cilët u kundërshtuan rreth librit të Zotit. Kundërshtimi i një libri hyjnor bëhet në dy mënyra: së pari, duke besuar një pjesë të tij dhe duke mohuar pjesën tjetër dhe, së dyti, duke e ndryshuar apo tjetërsuar atë sipas shijeve, interesave dhe dëshirave të njerëzve. Një gjë është e sigurt: zbatimi rigoroz i Librit të Zotit sjell unitet e dashuri mes njerëzve, ndërsa kundërshtimi i tij sjell përçarje, urrejtje dhe armiqësi mes tyre.
Këta lloj njerëzish janë, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: “… janë të përçarë e shumë larg nga e vërteta…” Arsyeja është se ata e kundërshtojnë Librin e Zotit, që sjell të vërtetën e sigurt, që, rrjedhimisht, sjell bashkimin e të gjithëve në një qëndrim. Nëse do të ndiqnin të vërtetën që ndodhet në Librin hyjnor, ata do të shpëtonin nga ndarjet, fraksionet e grupimet, që gjithmonë janë në kundërshti dhe armiqësi me njëri-tjetrin. Ndërsa fatlumët nga ithtarët e Librit, të cilët i besojnë plotësisht të gjitha shpalljet e Zotit, ata gjykojnë me Librin e Tij në çdo çështje dhe, për këtë arsye, janë të bashkuar e të lumtur.
Në këto ajete ka shumë dobi e mësime. Aty paraqitet kërcënimi i ashpër për këdo që fsheh pjesë nga shpalljet e Zotit, duke i dhënë përparësi jetës së kësaj dynjaje mashtruese dhe duke merituar kështu ndëshkimin dhe zemërimin e Allahut të Lartësuar. Ne mësojmë se Allahu i Lartësuar nuk do t’i pastrojë kurrë të tillë njerëz, që bëjnë këtë punë, që nënkupton se atyre nuk do t’u jepet sukses për të gjetur e ndjekur udhëzimin e drejtë dhe nuk do t’u mbulohen të metat me faljen dhe mëshirën e Allahut.
Shkaku i këtij shpagimi është përzgjedhja me vetëdije e tyre e ndëshkimit të Zotit, kundrejt faljes dhe mëshirës së Tij. Allahu i Lartësuar thotë për ta: “Si do ta durojnë ata Zjarrin?!” Pra, ata që bëjnë shkaqet që të fusin në Xhehenem, duke qenë të vetëdijshëm për këtë, duket sikur mendojnë se mund të durojnë zjarrin e përgatitur për ta. Por Allahu i Lartësuar hedh poshtë çdo pandehmë të gabuar për Zjarrin që i pret, pasi ai është shumë më i madh sesa mund të përfytyrohet. Në ajete mësojmë se Libri i shpallur nga Zoti përmban të vërtetën e sigurt, e cila është e vetmja mënyrë për bashkim mes njerëzve. Ata që kundërshtojnë Librin hyjnor kanë humbur thellë e larg, duke u bërë pjesë e përçarjes së madhe, që trazon botën.