– “Mohuesit u përngjajnë kafshëve, të cilat, kur i thërret dikush, dëgjojnë vetëm britmë dhe zë (por s’kuptojnë asgjë).” – Pra, ata u përngjajnë bagëtive, të cilat veç sa dëgjojnë zërin e bariut, por nuk kuptojnë se çfarë thotë ai. Edhe mohuesit, ashtu si bagëtitë, e dëgjojnë atë që i fton në rrugën e drejtë, por nuk reagojnë me logjikë ndaj zërit që dëgjojnë. Për këtë arsye, Allahu thotë:
– “Ata janë të shurdhër, memecë, të verbër dhe nuk kuptojnë asgjë.” – Ata janë ‘summun’, pra, të shurdhër, që nuk e dëgjojnë të vërtetën me logjikë, për ta kuptuar dhe për t’iu bindur asaj. Ata janë ‘umjun’ – të verbër, që nuk i shohin faktet, për ta dalluar të vërtetën nga e kota, dhe nuk marrin mësime prej tyre. Ata janë gjithashtu ‘bukmun’ – memecë, që nuk e thonë kurrë të vërtetën, e cila është në dobinë e tyre. Cili është shkaku i kësaj gjendjeje?
Allahu i Lartësuar thotë: “ata nuk kuptojnë”. Pra, shkaku është që ata nuk kanë mendje të shëndoshë, por janë mendjelehtë dhe injorantë. E si mund të dyshosh në mendjelehtësinë e dikujt që, kur ftohet në rrugën e drejtë, kur ftohet për t’u larguar nga shkatërrimi e për t’u ruajtur nga ndëshkimi, kur urdhërohet për vepra të mira, që janë në dobi të tij, kur ftohet në rrugën që i siguron suksesin dhe lumturinë, ai, çuditërisht, e refuzon ftesën dhe nuk i bindet urdhrit të Zotit të tij?!
Çfarë mund të thuhet tjetër për një njeri, i cili, me vetëdije, i hyn rrugës së Zjarrit, duke ndjekur të kotën dhe duke shpërfillur të vërtetën?! A mund të thuhet që një i tillë është i mençur?! Jo, pa dyshim që ai është më mendjelehti dhe më injoranti që mund të ekzistojë.