– “Atë ditë, paria do të distancohet prej pasuesve të saj, të gjithë do ta shohin dënimin dhe lidhjet mes tyre do të këputen.” – Paria dhe të pasurit e mohuesve do të distancohen nga pasuesit dhe adhuruesit e tyre atë ditë. Atë ditë do të ndërpritet çdo lidhje që ata kanë në jetën e dynjasë, sepse ato janë ndërtuar jo për hir të Allahut dhe jo sipas udhëzimeve të Tij, por janë krijuar mbi baza të pavlera e të kota. Veprat dhe përpjekjet e tyre do të asgjësohen dhe ata do të binden se idhujt e tyre ishin të gënjeshtërt.
Adhurimet që ata mendojnë se do t’u sjellin dobi, janë pikërisht ato që do të sjellin fatkeqësinë dhe trishtimin e tyre të pafund. Ata do të jenë përjetësisht në zjarrin e Xhehenemit dhe kurrë nuk do të dalin prej tij. A ka dëshpërim më të madh sesa ky?! E gjithë kjo do të ndodhë, sepse ata ndjekin dhe zbatojnë të kotën, me vullnet të lirë. Ata shpresojnë te diçka që nuk ekziston, dhe kështu i lidhin zemrat e tyre me hiçin. Me shkatërrimin e veprave të tyre, do të zhduken edhe shpresat e tyre, dhe kjo do t’i bëjë ata të vuajnë tmerrësisht.
Kjo situatë është krejt e kundërt me gjendjen e atyre që i kanë lidhur zemrat me Mbretin e vërtetë, me Allahun e lartësuar. Ata kryejnë çdo vepër e adhurim me sinqeritet vetëm për Njëshin dhe Absolutin, Allahun e Madhëruar. Ata shpresojnë tek i Vetmi që mund të shpresohet. Ata e vendosin të vërtetën në vendin që i takon. Si të tillë, adhurimet e tyre janë të pranueshme e të shpërblyeshme. Ata do të dalin të fituar me veprat që do të paraqesin. Shpërblimi i tyre ka për të qenë i pandërprerë, pranë Zotit të tyre.
Në suren Muhamed, ajetet 1-3, i Lartësuari thotë: “Allahu do t’ua asgjësojë veprat atyre që nuk besojnë (me besimin e drejtë) dhe që pengojnë njerëzit nga rruga e Tij. Ndërsa atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe e besojnë atë që iu shpall Muhamedit, e cila është e Vërteta prej Zotit të tyre, do t’ua mbulojë të këqijat dhe do t’ua përmirësojë gjendjen. Kjo, sepse ata që nuk besojnë ndjekin të pavërtetën, ndërsa ata që besojnë ndjekin të Vërtetën që ka ardhur prej Zotit të tyre. Kështu ua sjell Allahu shembujt njerëzve.”