Select Page

– “Ne i bëmë natën dhe ditën dy Shenja madhështore.” – Ato janë shenja që tregojnë për pushtetin absolut të Allahut dhe mëshirën e Tij të gjerë e gjithëpërfshirëse. Ato tregojnë se Ai është i vetmi që meriton adhurimin e krijesave. Vetëm Ai duhet adhuruar e askush tjetër veç Tij.

– “Natën e errësuam …” – E bëmë natën të errët, që njerëzit të pushojnë dhe të çlodhen.

– “… dhe ditën e bëmë të shndritshme që ju të kërkoni begati nga Zoti juaj …” – E bëmë ditën të shndritshme, që të kërkoni mirësitë e Zotit tuaj në prodhimet, tregtinë e udhëtimet tuaja.

– “… dhe që të mësoni numrin e viteve dhe llogaritjen (e kohës). – Me kalimin e ditëve e netëve dhe ndryshimin e fazave të hënës, ju mund të njihni e llogarisni vitet dhe periudhat. Në këtë mënyrë, ju ndërtoni jetën tuaj dhe arrini mirësitë që ju nevojiten.

– “Ne kemi sqaruar çdo gjë në mënyrë të hollësishme.” – Allahu i ka qartësuar ajetet, që çdo çështje të jetë e kuptueshme dhe që të dallohet lehtë e vërteta nga e kota. Ai e bëri Kur’anin sqarues për gjithçka, sikurse ka thënë në një ajet tjetër: “Asgjë nuk kemi lënë pa përmendur në Libër. Në fund, te Zoti i tyre do të tubohen të gjithë.” [El en’am 38].