– “Shpresohet që Zoti juaj t’ju mëshirojë (nëse pendoheni), …“ – Shpresohet që Allahu t’ju mëshirojë dhe ta kthejë gjendjen në favorin tuaj. Vërtet, Allahu i mëshiroi dhe u dhuroi pushtet në tokë, por i paralajmëroi për t’u ruajtur nga gjynahet e mosbindja:
– “… por, nëse ju ktheheni (në gjynahe), edhe Ne do të kthehemi (me ndëshkime).“ – Nëse ktheheni dhe bëni poshtërsi, edhe Ne kthehemi me ndëshkim mbi ju. Kështu ndodhi kur ata u kthyen në mosbesim e poshtërsi. Allahu dërgoi tek ata Muhamedin (a.s), profetin e Tij besnik, dhe i dënoi nëpërmjet tij. Ky ishte ndëshkimi e poshtërimi i tyre në këtë botë. Ndërsa për ndëshkimin e ahiretit Allahu thotë:
– “Ne e kemi bërë Xhehenemin burg për jobesimtarët.” – Ata do të hidhen me forcë në Zjarr e do të qëndrojnë përjetësisht në të. Në këto ajete ndihet edhe kërcënimi për popullin e fundit, për muslimanët, që të jenë të kujdesshëm e të ruhen nga gjynahet, se, nëse e bëjnë këtë, i pret i njëjti ndëshkim si bijtë e Izraelit.
Ky është rregulli i Zotit, që nuk ndryshon dhe nuk të fal. Çdokush që sheh se si jobesimtarët sundojnë mbi muslimanët e kupton se kjo ndodh për shkak të gjynaheve dhe largimit të tyre nga feja e Zotit. Nëse muslimanët e zbatojnë Librin e Zotit dhe traditën e Profetit të Tij, atyre ka për t’iu dhuruar patjetër triumfi dhe do të lartësohen mbi të gjithë armiqtë e tyre.