– “Ne i dhamë Musait Librin (Teuratin) dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Izraelit.” – Në shumë ajete, Allahu i Madhëruar përmend profetësinë e Muhamedit (a.s) dhe atë të Musait (a.s), duke përmendur afërsinë e librave e ligjeve të tyre. Teurati dhe Kur’ani janë dy librat më madhështorë të Zotit. Gjithashtu, ligjet e tyre janë më të zgjedhurit nga Zoti.
Ata janë profetët më të zgjedhur dhe ndjekësit e tyre janë më të shumtit në numër. Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i dhamë Musait Librin dhe e bëmë atë udhërrëfyes për bijtë e Izraelit.” Allahu i dhuroi Musait Teuratin, nëpërmjet të cilit bijtë e Israelit do të gjenin dritën e udhëzimit, për të ecur nëpër errësirat e injorancës e për të gjetur diturinë rreth të vërtetës. Më e madhja porosi e kësaj shpalljeje të Zotit ishte:
– “Mos merrni asnjë mbrojtës tjetër përveç Meje (që t’ia besoni çështjet tuaja).“ – Për plotësimin e këtyre porosive u shpallën edhe librat, që njerëzia ta adhuronin Allahun si një të vetëm, përmes ligjeve dhe mënyrës që Ai kishte përcaktuar. Allahu i Madhëruar i shpalli librat për t’u treguar se si të kthehen e t’i shprehin Atij pendimin e nënshtrimin dhe për ta zgjedhur Atë si të vetmin kujt t’ia besojnë çështjet e tyre të jetës dhe të fesë. Ata u urdhëruan që të mos e lidhin zemrën e shpresën me krijesat, të cilat nuk kanë asgjë në dorë dhe nuk mund të të sjellin asnjë dobi.