– “I Dëlirë (e i Lavdëruar) qoftë Ai, që e mbarti adhuruesin e Tij (Muhamedin a.s.) natën nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja) drejt xhamisë “Aksa” (në Palestinë), …” – Allahu i Lartësuar e dëlirëson dhe e lavdëron Veten, sepse Ai është vërtet i pastër nga çdo mangësi dhe e metë. Veprat e Tij janë madhështore dhe mirësitë e Tij janë të pafundme. Ndër mirësitë më të mëdha është edhe kjo ngjarje madhështore, e njohur si udhëtimi i Israsë dhe Miraxhit.114
I dëlirë dhe i lavdëruar është Ai që e mori adhuruesin e Tij të dashur, profetin e Tij të zgjedhur, Muhamedin, në këtë udhëtim të pashembullt dhe të mrekullueshëm, nga Xhamia e Shenjtë (Qabja) në xhaminë Aksa, në Palestinë. Qabja është xhamia më e zgjedhur, në mënyrë absolute. Edhe xhamia Aksa është nga xhamitë më të zgjedhura, pasi ka qenë faltore e shumë profetëve të Zotit. Ai ishte një udhëtim fantastik, në të cilin Profeti i Zotit përshkoi një distancë shumë të largët brenda natës, vajtje e kthim.
Allahu i Madhëruar i tregoi Profetit të Tij shumë nga shenjat e mëdha të Tij, duke e forcuar edhe më shumë udhëzimin, dritën, qartësinë dhe dallimin e së vërtetës nga e kota. Kjo ngjarje dëshmoi për kujdesin e madh, për butësinë, mëshirën dhe dashurinë, me të cilën Allahu e trajtoi Profetin (a.s.). Allahu i Lartësuar ia lehtësoi atij të gjitha rrugët e mirësive dhe të udhëzimit, duke i dhënë sukses në to. Mirësitë me të cilat e mbuloi këtë profet ia kalojnë të gjitha mirësive që Ai u dhuroi të parëve dhe të fundmëve. Ajeti tregon se Israja filloi pjesën e parë të natës dhe nisja ishte nga Xhamia e Shenjtë, Qabja.
Megjithatë, ka hadithe të sakta që tregojnë se nisja u bë nga shtëpia e Ummu Hanit. Atëherë, duke pajtuar ajetin me hadithet, kuptojmë se vend i shenjtë në Mekë nuk është vetëm xhamia, por një sipërfaqe më e gjerë, mes së cilës edhe shtëpia e Ummu Hanit. Rrjedhimisht, shpërblimet e shumëfishuara që lidhen në Qaben vlejnë për të gjithë territorin e shenjtë të Mekës. Ky udhëtim u krye me trup dhe me shpirt, 115 sepse përndryshe ngjarja nuk do të ishte ndonjë veçori e madhe për Profetin.
Hadithet rreth Israsë dhe Miraxhit janë të shumta dhe të sakta. Në to përmendet hollësisht se çfarë shenjash madhështore pa dhe dëshmoi Profeti (a.s.) në atë udhëtim. Në fillim, Profeti udhëtoi nga Qabja në Bejt el Makdes (Xhaminë Aksa) në Palestinë, e pastaj, prej atje u ngrit lart në qiej. Ai u ngjit mbi shtatë qiej dhe pa Xhenetin dhe Zjarrin. I Dërguari (a.s.) takoi edhe disa profetë të tjerë atje, në gradat dhe qiejt e tyre përkatës. Në takimin e mrekullueshëm dhe të pashembullt me Zotin e qiejve dhe të Tokës, atij fillimisht iu bë detyrim falja e 50 vakteve namaz.
Por, sikurse është treguar në hadithe, Profeti (a.s.) vazhdoi të kërkonte lehtësim nga Zoti i tij, derisa përfundoi në pesë vakte namaz të detyrueshëm. Megjithatë, edhe pse ato janë vetëm 5 vakte, Allahu i Madhëruar premtoi që shpërblimin e tyre ta japë si për 50 vakte. Ky profet i zgjedhur dhe umeti i tij fitoi këtë natë lavdi dhe mirësi, që vetëm Zoti i di dhe i ka përcaktuar. Vëreni me kujdes! Allahu i Lartësuar e ka emërtuar Muhamedin me fjalën “Abdehu” – “Robin e Tij”, që do të thotë “Adhuruesin e Tij”. Kështu është cilësuar Muhamedi (a.s) në tre kontekste të ndryshme në Kur’an:
1. Në rastin e Israsë dhe Miraxhit, këtij udhëtimi të mrekullueshëm të pashembullt.
2. Kur flitet për shpalljen e Kur’anit: “Është i Madhëruar Ai, që ia shpalli Furkanin (Kur’anin) adhuruesit të vet (Muhamedit), që të bëhet Profeti i botës (këshillues)”. Furkan 1.
3. Kur flitet për sfidën e hapur ndaj krijesave: “Nëse jeni në dyshim rreth asaj që Ne ia shpallëm adhuruesit Tonë, atëherë bëni ju një sure të ngjashme si ajo (e Kur’anit), madje thërrisni për këtë të gjithë idhujt që ju adhuroni përveç Allahut, nëse vërtet jeni të sinqertë!” Në të gjitha këto raste, Muhamedi (a.s) është cilësuar si Abdullah – Adhurues i Allahut. Qëllimi është për të treguar se ky është titulli më i lartë që mund të arrijë një njeri. Muhamedi (a.s) e arriti pozitën e tij duke plotësuar veten si adhurues i Zotit. Duke përshkruar Bejt el Makdesin në Palestinë, i Lartësuari thotë:
– “… rrethinat e së cilës Ne i kemi bekuar, për t’i treguar atij disa nga Shenjat Tona! Vërtet, Ai Dëgjon e Di gjithçka.” – Rrethinat e saj janë bekuar me pemë e gjelbërim, që janë të përhershëm atje. Përveç kësaj begatie, është edhe një mirësi tjetër: ajo është një nga xhamitë më të rëndësishme në Islam, pas Qabes në Mekë dhe Xhamisë së Profetit (a.s) në Medinë. Xhamia Aksa është e treta për nga rëndësia dhe ashtu si dy xhamitë e para, është e pëlqyeshme që të shkosh ta vizitosh dhe të falesh në të. Atë vend, Zoti e ka veçuar si faltoren e shumë profetëve dhe të zgjedhurve të Tij.
114 Israja dhe Mi’raxhi
Profeti a.s.,përjetoi një ngjarje të jashtëzakonshme. Me trup e me shpirt ai bëri një udhëtim madhështor prej Xhamisë së Shenjtë, Qabes, e deri në Kuds (në Palestinë), për t’u ngjitur më pas drejt qiellit. Ky udhëtim njihet me emrin Udhëtimi i Isra-së dhe Miraxh-it. Fillimisht Profeti a.s., hipur mbi kafshën burak dhe i shoqëruar nga Xhibrili a.s., shkoi në Kuds. Atje zbriti nga buraku dhe fali namaz së bashku me profetë të tjerë, duke dalë ai imam. Burakun e lidhi në një hallkë te porta e xhamisë. Thuhet, gjithashtu, që Profeti a.s. zbriti dhe u fal në Betlehem, por kjo është e pa saktë.
Po atë natë, Profeti a.s. u ngjit drejt qiejve, duke u nisur nga Shtëpia e Shenjtë, Kudsi. Xhibrili a.s. kërkoi leje për të hyrë në qiellin e dynjasë. Leja iu dha dhe Profeti a.s. pa në këtë qiell Ademin a.s., Babain e Njerëzimit, të cilin e përshëndeti me selam. Ai ia ktheu përshëndetjen me selam dhe i uroi mirëseardhjen, duke pohuar dhe miratuar faktin se Muhamedi a.s. ishte profet. Në këtë moment, Allahu i Madhëruar i mundëson Profetit të Tij, Muhamedit a.s, që të shohë shpirtrat e fatlumëve në të djathtë të Ademit, dhe shpirtrat e të dëshpëruarve në të majtë të tij.
Pastaj u ngjit në qiellin e dytë, ku përsëri kërkuan leje për të hyrë. Në këtë qiell, Profeti a.s. pa Jahjan, të birin e Zekerias, dhe Isain, të birin e Merjemes, me të cilët u përshëndet dhe i takoi. Ata ia kthyen përshëndetjen, i uruan mirëseardhjen dhe miratuan e pranuan profetësinë e tij. Vazhduan udhëtimin për tu ngjitur në qiellin e tretë, ku ai pa Jusufin a.s., të cilin e përshëndeti me selam. Ky ia ktheu selamin dhe i uroi mirëseardhjen, duke pohuar dhe pranuar profetësinë e tij. Vazhdoi ngjitja për në qiellin e katërt. Atje pa Idrisin a.s., i cili e përshëndeti, i uroi mirëseardhjen dhe miratoi e pranoi profetësinë e tij. Arriti në qiellin e pestë, ku ndodhej Haruni a.s. Edhe ky e përshëndeti Profetin a.s. me selam, i uroi mirëseardhjen dhe e miratoi si profet.
Shkuan në qiellin e gjashtë dhe ja, Musa a.s, i cili i drejtohet me përshëndetje, i uron mirëseardhjen dhe pohon se ai është Profet i Allahut. Pasi e kaluan, Musa a.s. filloi të qajë. E pyetën: “Çfarë të preku?!” Musai a.s. u përgjigj: “Qaj, sepse nga populli i këtij djaloshi, që u shpall profet pas meje, do të hyjnë në Xhenet më shumë sesa do të hynë nga populli im.” Vazhdoi fluturimi, për të shkuar në qiellin e shtatë dhe për t’u takuar me Ibrahimin a.s. Ai e përshëndeti Profetin e ri a.s., i uroi mirëseardhjen dhe e pohoi e pranoi atë si profet. Vazhdoi ngjitjen, deri sa u shfaq Sidretul Munteha dhe u duk madhërishëm Bejtul Ma’mur-i.
Ai vazhdoi të ngjitej për të shkuar tek Allahu Krenar e i Lartësuar. Ai u afrua pranë sa dy harqe apo edhe më afër. Atje Allahu i shpalli robit të Vet atë që i shpalli. Allahu i Madhëruar e obligoi atë për të falur pesëdhjetë namaze në ditë. Kur Profeti a.s. mori rrugën e kthimit e kaloi pranë Musait a.s., ai iu drejtua duke i thënë: “Për çfarë u urdhërove?” Profeti a.s. tha; “U urdhërova të falem pesëdhjetë herë.” – “Me siguri, umeti yt nuk ka për ta përballuar këtë detyrë, prandaj kthehu te Zoti yt, dhe kërkoi Atij lehtësim për të.” Profeti a.s, vështroi nga Xhibrili a.s. si për të kërkuar mendim dhe pasi mori miratimin e tij me fjalët “Po, nëse dëshiron”, filluan ngjitjen derisa shkuan tek Allahu Krenar e Madhështor. (Kështu është shprehur në disa rrugë transmetimi të Buhariut). Allahu i Lartësuar ia uli numrin e namazeve të detyruara me dhjetë më pak.
Gjatë kthimit, ai kaloi te Musai a.s., i cili pasi mori vesh për lehtësimin, përsëri i tha: “Kthehu te Zoti yt dhe kërkoi përsëri lehtësim!” Kështu pra, vazhdoi Profeti a.s. të lëvizë herë te Musai a.s. e herë te Zoti i tij, derisa numri i namazeve të detyrueshme u ul në pesë. Musa a.s. përsëri këmbënguli që Profeti a.s. të kërkonte lehtësim, por Profeti a.s. u përgjigj duke thënë: “Më vjen shumë turp nga Zoti im! Tani jam i kënaqur dhe i dorëzohem plotësisht urdhrit të Tij. Kur Profeti a.s. u largua, një zë u dëgjua të thotë: “E çova në vend urdhrin Tim dhe ua lehtësova adhuruesve të Mi!” [Ky hadith gjendet te Buhariu, 6/217, 219, në librin “Zanafilla e krijimit”, në kapitullin “Përmendja e melekeve”, si dhe në 7/154, 168, kapitulli “Miraxhi”. Gjithashtu Muslimi, 164, në librin “Imani”, kapitulli “Israja e Profetit drejt qiejve dhe detyrueshmëria e namazeve”. Gjithashtu Nesaiu, 1/217, në librin “Namazi”, në kapitullin “Detyrueshmëria e namazit”. Gjithashtu imam Ahmedi, në librin “Musned”, 4/208 dhe 210, prej Enes Ibn Malikut, transmetuar nga Malik Ibn Sa’sa’atu.] Shih Zad e l mead vëll 3.
115 Në ç’gjendje e përjetoi Pejgamberi ngjarjen e Israsë?
Është e vërtetë se Ibn Is’haku tregon se ka marrë dëshmi që Aisheja dhe Muavija kanë thënë se Profeti a.s. e përjetoi udhëtimin e Israsë me shpirtin e tij, por pa u shkëputur prej trupit. Nga Hasan el Basriu përcillet e njëjta gjë. Megjithatë, këtu duhet të kuptohet se ka ndryshim të madh mes shprehjeve: “Isra-ja u përjetua në gjumë” dhe: “Isra-ja u përjetua me shpirt”. Aisheja dhe Muauija nuk kanë thënë se Profeti a.s. ishte në gjumë, por se: “Isra-në e përjetoi me shpirtin e tij, pa iu shkëputur shpirti prej trupit”. E pra, ka dallim mes këtyre dy rasteve. Nuk ka dyshim se ato që njeriu sheh në ëndërr mund të jenë gjëra që kapen me shqisa, por që paraqiten si shëmbëlltyra për ndonjë koncept.
Në gjumë njeriu mund të shohë sikur ngjitet në qiell, sikur shkon në Mekë apo anë e kënd botës, por shpirti i këtij njeriu as nuk ikën e as nuk vjen, pra nuk lëviz nga vendi, por është meleku i ëndrrave ai që ia shëmbëllen atij gjithçka që sheh e që përjeton. Kështu pra, ata që thonë se Profeti a.s. u ngjit në qiell, ndahen në dy grupe. Një grup thotë që Profeti a.s. u ngjit në qiell me trupin dhe shpirtin e tij, ndërsa tjetri thotë që ai u ngjit në qiell me shpirtin e tij, pa iu shkëputur ky prej trupit. Këta të fundit nuk synojnë me qëndrimin e tyre të thonë se Profeti a.s. ishte në gjumë, por duan të pohojnë se Profeti a.s. e përjetoi ngjitjen me shpirtin e tij, me plot kuptimin e fjalës “ngjitje”. Ai e përjetoi ngjitjen në qiell njëlloj si atëherë kur shpirti do të ndahet nga trupi (në momentin e vdekjes), dhe dihet që shpirti, pasi ndahet nga trupi (në momentin e vdekjes), ngjitet në qiell, dhe i kalon ata njëri pas tjetrit.
Kur mbërrin në qiellin e shtatë, ai qëndron përpara Allahut të Madhëruar dhe Ai urdhëron çfarë dëshiron; pastaj zbret përsëri në tokë. Megjithatë, ajo që përjetoi Profeti a.s. me shpirtin e tij natën e Isra-së, ishte më e plotë dhe e kompletuar sesa ajo që përjeton shpirti pasi ai del nga trupi (gjatë vdekjes). Gjithashtu, është më se e kuptueshme se një përjetim i tillë qëndron shumë më lart sesa përjetimi i një ëndrre. Ishtë normale që Profeti a.s. të përjetonte të tilla ngjarje të jashtëzakonshme, sepse dhe qëllimi i tyre ishte që ai t’ua përcillte ato si mrekulli krijesave të tjera. Kështu, përderisa Profeti a.s. përjetoi çarjen e gjoksit të tij ndërkohë që ai ishte i gjallë, i vetëdijshëm, dhe nuk ndjeu dhimbje, ishte plotësisht e mundur që ai të përjetonte me shpirtin e tij, si i gjallë në mënyrë të plotë, ato që shpirtrat e të tjerëve i përjetojnë veçse pas vdekjes.
Të gjithë profetët e tjerë nuk e përjetuan ngjitjen në qiell, veçse pas vdekjes së tyre. Shpirtrat e tyre tashmë gjenden në qiell dhe janë të ndarë nga trupat e tyre. Ndërsa Profeti a.s. ishte i gjallë dhe shpirti i tij në momentin që përjetoi ato skena mahnitëse vazhdonte të ishte i lidhur me trupin e tij (pra jo i vdekur dhe jo në gjumë). Ndërsa pas vdekjes së tij, shpirti i Profetit a.s. u ngjit për t’u prehur tek Allahu i Madhëruar së bashku me shpirtrat e profetëve të tjerë. Megjithatë, përsëri shpirti i tij vazhdon të ketë kontakte dhe lidhje me trupin e tij në momentin kur ne e përshendesim me selam. Allahu i Madhëruar ia kthen atij shpirtin, me qëllim që t’ia kthejë selamin atij që e përshëndet.
Pikërisht për shkak të kësaj lidhjeje që kanë shpirtrat e profetëve me trupat e tyre, Profeti a.s. e pa Musain a.s. duke u falur në varrin e tij e më pas e pa atë të kthyer në vendin e tij në qiell. Vendi dhe prehja e shpirtit të Musait a.s. është në qiell, ashtu sikurse vendi dhe prehja e trupit të tij është në varr, deri kur të vijë dita që shpirtrat të kthehen përfundimisht dhe përjetësisht në trupat e tyre. Kështu pra, Profeti a.s. e pa Musain a.s. duke u falur në varrin e tij dhe e pa gjithashtu edhe në qiellin e gjashtë.
Edhe shpirti i Muhamedit a.s. prehet në më të lartin vend tek Allahu i Lartësuar, ndërsa trupi i tij gjendet në varr. Kur dikush i jep atij selam, Allahu i Madhëruar ia kthen atij shpirtin, që Profeti a.s. t’ia kthejë përshëndetjen, por shpirti i tij gjithmonë mbetet në mbretërinë e lartësive. Nëse ndonjë nuk mund ta kuptojë një gjë të tillë, le të shohë diellin në lartësitë e tij dhe të gjejë një lidhje me gjurmët që ai lë në tokë. Le të shohë se si nëpërmjet tij gëlon jeta në tokë. E pra, çështja e shpirtit qëndron me lart sesa ajo përmendëm. Shpirti ka një natyrë të caktuar dhe trupi ka një natyrë të caktuar. Ashtu sikurse zjarri që, edhe pse digjet në vendin e vet, ai ndikon dhe djeg trupat që janë larg tij, ashtu edhe shpirti ka një lidhje të caktuar me trupin, ndonëse kjo lidhje është shumë më e ndërlikuar dhe më e plotë se lidhja që përmendëm. Çështja e shpirtit është vërtet shumë më e ndërlikuar, shumë më e koklavitur dhe shumë më e stërholluar se shembujt që u dhanë.
Ngjarja e Israsë ka ndodhur vetëm një herë. Musa Ibn Ukbe përcjell se Zuhri ka thënë se Israja dhe Miraxhi i Profeti a.s. në Shtëpinë e Shenjtë dhe drejt qiejve, ndodhi një vit para nisjes së tij për në Medinë. Ndërkohë, nga Ibn Abdul Beri dhe të tjerë dëshmohet se kanë thënë që nga ngjarja e Israsë dhe Miraxhit e deri në emigrimin e Profetit a.s. kaluan një vit e dy muaj. Pa dyshim që ngjarja e Israsë ka ndodhur vetëm një herë të vetme, megjithëse është thënë se ka ndodhur dy herë: një herë kur Profeti a.s. ishte në gjumë dhe një herë kur ishte zgjuar. Ata që mbështesin këtë mendim duket sikur duan të harmonizojnë mes haditheve të përmendura dhe hadithit të Shurejk-ut, ku thuhet: “…dhe më pas, u zgjova”.
Disa të tjerë thonë që Israja vërtet ka ndodhur dy herë, por bëjnë dallim nga të parët, duke thënë që një herë ndodhi para shpalljes së profetësisë dhe një herë pasi u shpall profetësia”. Edhe këta synuan harmonizimin e haditheve, sepse në hadithin e Shurejk-ut thuhet: “Kjo ndodhi para se Profeti a.s. t’i zbriste Shpallja”, gjë që nuk përmendet në hadithet e transmetuara nga të tjerë. Disa të tjerë thonë se kjo ngjarje është përsëritur tri herë: një herë para Shpalljes dhe dy herë pas saj. Por të gjitha këto janë gjepura dhe tregues të një rruge të gabuar për harmonizimin e haditheve, rrugë të cilën e përdorin “të dobëtit”.
Këta “të dobët”, sa herë që shohin ndonjë dëshmi që përmban në vetvete të dhëna që nuk ndodhen në variante të tjera të transmetimit, gjejnë si të vetmen rrugë harmonizimi dhe bashkimi mes haditheve të sakta, mendimin se ngjarja ka ndodhur më tepër se një herë, por ajo që është e pakundërshtueshme mes dijetarëve të hadithit është fakti i sigurt se Israja ka ndodhur vetëm një herë, dhe kjo pasi Profetit a.s. iu shpall profetësia. Sa çudi me këta njerëz! Si është e mundur të mendojnë se kjo ngjarje ka ndodhur më shumë se një herë, kur në të përmendet fakti që Allahu i Madhëruar fillimisht e bëri të detyrueshëm namazin pesëdhjetë herë në ditë, pastaj ndodhën disa kthime të Profetit a.s., derisa u bë pesë herë në ditë.
Dhe së fundmi, Allahu i Madhëruar thotë: “E vendosa detyrën Time dhe ua lehtësova adhuruesve të Mi”. Si ka mundësi që kjo të përsëritej për herë të dytë, duke filluar sërish me namazet pesëdhjetë herë në ditë, e pastaj numri të ulej dhjetë e nga dhjetë?! Hafizët e hadithit kanë gjykuar se Shurejku ka gabuar në disa togje të tregimit të Israsë, ndërsa imam Muslimi e ka sjellë zinxhirin e këtij hadithi dhe pastaj ka thënë që Shurejku ka shtuar, ka pakësuar etj., pa përmendur tekstin e hadithit. Allahu e mëshiroftë Muslimin për punën e tij të bukur! Shih Zad el mead vëll 3.