Select Page

– “Ne të shohim që e kthen shpesh fytyrën tënde nga qielli.” – Profeti (a.s.) e kthente vazhdimisht fytyrën nga qielli, duke pritur me mall dhe dëshirë një urdhër nga Zoti për t’u drejtuar gjatë faljes së namazit për nga Qabja. Allahu i Lartësuar, për të treguar rëndësinë e madhe që i kushtonte Profeti (a.s) ndryshimit të Kiblës, thotë që ai kthente fytyrën, dhe jo thjesht vështrimin. Nga dëshira e madhe që kishte për Kiblën e zemrës, Qaben, Profeti (a.s.) nuk hidhte drejt  qiellit vetëm shikimin e tij, por kthehej i gjithi me fytyrën e tij, duke pritur me mall urdhrin e Zotit.

– “Ne do të të drejtojmë ty nga një Kible që do të të kënaqë.” – Kuptimi: Nga dashuria jote për atë drejtim, Ne do të të drejtojmë me fytyrë nga Qabja. Ky ajet dëshmon për gradën e lartë të Muhamedit (a.s.), sepse Allahu i Lartësuar u kujdes që t’ia përmbushte dëshirën Profetit (a.s). Më pas, Allahu i Lartësuar urdhëron qartë për t’u kthyer drejt Qabes:

– “Ktheje pra, fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë (Qabes)!” – Në fakt, “el- uexhhu” quhet pjesa e përparme e trupit të njeriut.

– “Kudo që të jeni (o besimtarë), kthejini fytyrat tuaja drejt saj!” – Pra, kudo qofshi, në tokë, në det, në lindje, në perëndim, në jug, në veri etj., kthehuni në drejtim të Kiblës madhështore, që është Qabja. Ky ajet është provë që tregon se drejtimi nga Qabja është kusht i domosdoshëm për saktësinë e namazit, farz apo nafile qoftë ai. Nëse është e mundur, duhet që të drejtohesh pikërisht drejt Qabes. Por nëse kjo është krejtësisht e pamundur, atëherë duhet të drejtohesh me përafërsi nga ajo anë.

Nga dobitë e ajetit mund të pëmendim, se devijimi me trup nga Kibla e prish namazin, sepse ky drejtim është kusht i domosdoshëm për saktësinë e faljes. Urdhri për të kryer diçka nënkupton që e kundërta e saj të jetë e ndaluar. Pra, kur jemi urdhëruar që të drejtohemi nga Kibla, kjo nënkupton se devijimi prej saj gjatë namazit është i ndaluar. Pastaj Allahu i Lartësuar vijon me një fakt shumë të rëndësishëm: Dijetarët e ithtarëve të Librit e dinin shumë mirë se kjo dispozitë e Zotit ishte një e vërtetë e sigurt dhe e pakundërshtueshme.

– “Ata të cilëve u patëm dhënë Librin e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre.” – Ata e kanë patur të shkruar në librat e tyre se cila do të ishte Kibla e Profetit të fundit, por ata e fshehin dhe e mohojnë një fakt të tillë, për shkak të zilisë që mbush zemrat e tyre. Meqenëse ata e kundërshtojnë të vërtetën për të tilla shkaqe, atëherë nuk ia vlen të shqetësohesh për ta dhe për kundërshtimet e tyre.  Njeriu, për nga natyra, shqetësohet për kundërshtimet e të tjerëve ndaj tij, sidomos kur çështjet janë të diskutueshme.

Por kur sigurohesh që kundërshtari nuk ka asnjë bazë në kundërshtimet e tij dhe e vërteta qëndron në anën tënde, atëherë nuk ia vlen aspak të shqetësohesh për të. E vetmja gjë që besimtari duhet të presë në të tilla situata është ndëshkimi i merituar për kundërshtimin e padrejtë të tyre. Pra, ndëshkimi mbi të padrejtët pritet të zbresë në këtë jetë dhe në jetën tjetër. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar kërcënon duke thënë:

– “Allahu nuk është i pavëmendshëm ndaj asaj që ata punojnë.” – Ai ua ruan me përpikmëri e me drejtësi shënimet për veprat që ata kryejnë, dhe po me drejtësi Ai përgatit shpagimin. Kjo thënie përmban kërcënim për mohuesit e të vërtetës dhe përgëzim, qetësi e kënaqësi për besimtarët e sinqertë, që i përmbahen kësaj të vërtete të ardhur nga Zoti. Nga përkushtimi dhe dëshira e madhe për të udhëzuar krijesat në rrugën e drejtë,

Profeti (a.s) bënte ç’ishte e mundur që t’i këshillonte ata dhe t’ua qartësonte të vërtetën. Ai trishtohej shumë kur krijesat nuk i nënshtroheshin urdhrave të Zotit. Mes atyre që mohuan Zotin dhe treguan mendjemadhësi ndaj pasimit të Profetit të Tij, ishin edhe çifutët e të krishterët, që kishin librat e tyre, të cilët ata i lexonin. Ata e dinin të vërtetën, por e mohuan Profetin (a.s) me vetëdije. Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar  e njofton Profetin (a.s) se: