Duke na treguar se ajo që Ai na ka premtuar është shumë pranë dhe patjetër do të ndodhë, Allahu i Lartësuar thotë:
– ”Erdhi (është afruar) urdhri i Allahut (kijameti). Pra mos e kërkoni ngutjen e tij!” – Atij ka për t’i ardhur koha patjetër, dhe gjithçka që ka për të ndodhur është shumë afër. Juve mos t’ju duket aspak e largët ajo ditë.
– ”I Pastër (nga çdo mangësi) dhe i Lartësuar është Ai në krahasim me atë (idhujt) që ata i shoqërojnë.” – Injorantët shpifin të pavërteta rreth Allahut të Lartësuar duke pretenduar se Ai ka partnerë që janë të barabartë në pushtetin dhe në krijimin e Tij. Ata shpifin dhe trillojnë se Zoti ka fëmijë dhe bashkëshorte.
Ata gënjejnë duke thënë se ka ndonjë që është i barabartë me Allahun e Madhëruar në emrat, cilësitë dhe madhështinë e Tij. Të shumta janë trillimet e të paditurve, të cilat, sigurisht, nuk kanë bazë në fenë e Zotit dhe as në shpalljet e Tij.
Të gjitha këto janë shpifje, që nuk i shkojnë madhështisë së Tij. Ato bien ndesh me faktin e padiskutueshëm se Zoti është i plotë dhe absolut në çdo aspekt dhe bien ndesh, gjithashtu, edhe me faktin se gjithmonë në shpalljet e Tij, Zoti e ka lartësuar dhe dëlirësuar Veten e Vet nga të tilla përshkrime, që ia mveshin armiqtë e Tij dhe të profetëve të Tij. Pas kësaj, Allahu i Lartësuar përmend rëndësinë e besimit në Shpalljen që Ai ia ka zbritur të Dërguarit të Tij.
Kjo Shpallje është e detyrueshme për t’u zbatuar. Është detyrë e çdo njeriu që të nënshtrohet për të jetuar sipas saj dhe për ta adhuruar Zotin e Lartësuar ashtu sikurse e ka sqaruar në të. Shpallja e mrekullueshme përshkruan, ndër të tjera, edhe cilësitë e plota të Allahut të Lartësuar. Në to, Ai prezanton veten e Tij me të gjitha emrat, cilësitë dhe veprat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: