Select Page

Ne e shpallëm Mesazhin (Kur’anin) dhe sigurisht, Ne do të jemi mbrojtës të tij.Kur’ani quhet Edh-Dhikru (kujtimi), sepse është kujtues dhe këshillues i mirë për çdo çështje dhe shtjellues e sqarues i tyre në formën dhe me argumentet më të plota. Nëpërmjet Kur’anit këshillohet dhe nxjerr mësime çdokush që e do diçka të tillë dhe e synon sinqerisht të vërtetën.

Pastaj i Lartësuari na jep një përgëzim të mrekullueshëm, se do ta ruajë të paprekshëm e të pandryshuar këtë burim drite dhe njohurish, duke thënë: “… Ne do të jemi mbrojtës të tij.” Ai e ruan këtë Libër si në kohën e shpalljes së tij, ashtu edhe pas saj.

Gjatë shpalljes, i Lartësuari e ruajti Kur’anin nga ndërhyrjet e çdo shejtani të mallkuar: “Ai është I Gjithëdituri për të fshehtën dhe fshehtësinë e Vet nuk ia zbulon askujt, Përveç ndonjë të dërguari, që Ai dëshiron. Atëherë, Ai vë roje para edhe prapa tij, për t’u bërë e qartë se ata i kanë kumtuar shpalljet e Zotit të tyre dhe se Ai di gjithçka rreth tyre. Ai e di sasinë e gjithçkaje që ekziston.” [Xhin 26 – 28].

Ndërsa pas shpalljes, Zoti bëri që Kur’ani të ruhet i pacënueshëm, fillimisht në zemrën e Profetit, dhe pastaj në zemrat e besimtarëve të umetit të Tij. Allahu e ruan tekstin e këtij Libri nga ndryshimi, nga shtesat dhe pakësimet. Po kështu, Ai ruan edhe kuptimet dhe shpjegimet e këtij Libri nga tjetërsimi e devijimi. Nëse dikush përpiqet që të shtrembërojë ose keqinterpretojë ndonjë pjesë të Kur’anit, Allahu i Lartësuar ka bërë dijetarë që qartësojnë të vërtetën për njerëzit.

Kjo ruajtje e Shpalljes është ndër mirësitë më të mëdha të Zotit për besimtarët. Pjesë e saj është edhe ruajtja e bartësve dhe përhapësve të Shpalljes nga armiqtë. Allahu nuk i lejon armiqtë që t’i poshtërojnë dhe mposhtin ata.