Musa (a.s) e nxiste popullin për të qenë mirënjohës ndaj Allahut të Madhëruar:
– ”Zoti juaj shpalli: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj të mirat, por nëse do të tregoheni mosmirënjohës, të jeni të bindur se dënimi Im është, vërtet shumë i rëndë.” – Allahu i Lartësuar na ka premtuar se, nëse tregohemi mirënjohës, Ai do të na i shtojë më shumë mirësitë që na ka dhuruar. Ai, gjithashtu, na tregoi: “…të jeni të bindur se dënimi Im është vërtet shumë i rëndë”. Dhe një mënyrë dënimi është largimi i mirësive, me të cilat na ka begatuar.
Mirënjohja ndaj Zotit shprehet me zemër, duke i njohur dhe pranuar që këto mirësi t’i ka dhuruar Ai. Së dyti, ajo shprehet me fjalë, duke e përlëvduar dhe falënderuar Zotin për mirësitë e dhuruara. Së treti, shprehet me vepra, duke i shfrytëzuar këto mirësi dhe duke i përdorur ato për kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Nga ana tjetër, mohimi i mirësive ose mosmirënjohja shprehet me të kundërtat e këtyre që u thanë më lart.