Select Page

– ”Musai i tha popullit të vet: “Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush, kur ju shpëtoi prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju ndëshkonin me format më të këqija,” – Kujtimi i veprave të Zotit ka shumë dobi, qoftë kur bëhet fjalë për përkujdesin dhe bujarinë e Tij me besimtarët, qoftë kur bëhet fjalë për ndëshkimin e zemërimin e Tij me mohuesit.

Përmes këtyre historive mësojmë për pushtetin absolut të Zotit, bamirësinë e bujarinë gjithëpërfshirëse, drejtësinë e plotë dhe urtësinë e Tij të paanë. Për këtë arsye, e shohim Musanë (a.s) që zbaton urdhrin e Zotit kur thotë: “Kujtoni mirësitë e Allahut ndaj jush …”. Ky është urdhër për t’i kujtuar vazhdimisht mirësitë e Zotit, me zemër, fjalë e vepra. Në vijim, ai tregon mirësitë e sprovat që ata kaluan: “… ju shpëtoi prej njerëzve të Faraonit, të cilët ju ndëshkonin me format më të këqija,”.  Më pas tregohet një formë e torturës:

– ”… ju thernin bijtë tuaj dhe linin gjallë bijat tuaja. Kjo ishte një sprovë e madhe nga Zoti juaj.” – Kjo që ndodhi ishte një sprovë e madhe, që ju kërkon të jeni mirënjohës dhe durimtarë: mirënjohës për Zotin, që ju shpëtoi, dhe durimtarë për sprovën e madhe që kaluat. Në të dyja gjendjet duhet të jeni adhurues të bindur ndaj Zotit dhe të nënshtruar në adhurimin e Tij me mirënjohje, durim, lutje e përgjërim. Allahu i Madhëruar do ta shohë durimin tuaj dhe Ai do t’ju shpërblejë.