Allahu i Madhëruar tregon se e dërgoi profetin Musa, duke e pajisur me shenja e mrekulli të qarta e madhështore, që tregonin vërtetësinë e tij si profet dhe të mesazhit që ai përcillte. Urdhëresat e Zotit që iu përcollën Musait ishin të ngjashme me urdhëresat që iu përcollën Muhamedit dhe të gjithë profetëve të tjerë.
– “Nxirre popullin tënd prej errësirave në dritë …” – Në këtë mënyrë, të gjithë profetët janë dërguar me shpallje e udhëzim të qartë, për t’i nxjerrë njerëzit prej errësirave të kufrit, injorancës e shfrenimit, në dritën e diturisë, besimit të pastër e korrekt dhe bindjes ndaj Zotit. Profetët u dërguan edhe me një detyrë tjetër:
– “… dhe kujtoju atyre Ditët e Allahut!” – Domethënë, që t’u kujtojnë njerëzve mirësitë dhe bujarinë e Zotit mbi ta, për të nxitur mirënjohjen dhe dashurinë për Allahun, por edhe për t’iu ruajtur ndëshkimit të Allahut. Profetët u kujtonin popujve mirësitë dhe bujarinë e Zotit për besimtarët dhe të gjithë ata që i binden e nënshtrohen Atij.
Gjithashtu, u kujtonin edhe ndëshkimet e Zotit mbi popujt që mohonin profetët e shpalljet e Tij dhe nuk nënshtroheshin të jetonin sipas ligjit e shpalljes së Tij. Profetët vepronin kështu për të nxitur mirënjohjen e dashurinë për Zotin, por edhe frikërespektin dhe drojën ndaj Tij. Në kujtimin e këtyre historive dhe sprovave të Zotit ka mësime për atë kategori njerëzish që kanë dy cilësi: ata janë të durueshëm gjatë vështirësive dhe mirënjohës në kohë mirësie dhe kënaqësie.