– ”… Allahut, të Cilit i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në tokë.” – Rruga ose ligji që Allahu vendosi për njerëzimin është tregues i qartë se Ai ka emrat më të bukur, cilësitë më të larta dhe atribute absolute. Ky ligj tregon se Ai që e ka caktuar është Krenar e Ngadhënjimtar në pushtetin e Vet dhe i Lavdëruar në çdo aspekt: në fjalët, veprat e Tij dhe ligjet që vendos për krijesat.
Allahu është i vetmi i Adhuruar me meritë dhe duhet adhuruar veçse përmes mënyrës së përcaktuar nga Ai. Ai duhet adhuruar përmes asaj që quhet “Siratul Mustekim” – Rruga e Drejtë. Ky ajet tregon se, ashtu sikurse Allahu është i vetmi Sundues i qiejve e i tokës, i vetmi Krijues, Furnizues dhe Kujdestar për krijesat e Tij, po ashtu është dhe duhet të jetë i vetmi që vendos ligjet e besimit dhe ligjet e jetës së tyre.
Ata janë pronë e Tij dhe nën sundimin dhe pushtetin e Tij, prandaj Ai kurrë nuk do t’i linte të çoroditur e të paudhëzuar. Pasi përmendi këto argumente dhe fakte, Allahu i Madhëruar kërcënon ata që nuk i nënshtrohen:
– ”Mjerë mohuesit, për dënimin e ashpër (që i pret)!” – Këtë dënim askush veç Zotit nuk mund ta shpjegojë e tregojë madhësinë dhe dhimbjen e tij. Në vijim vijnë cilësitë dalluese të këtyre të mjerëve që nuk iu nënshtruan ligjit të Zotit dhe adhurimit të Tij sipas Kur’anit. Ai thotë: