– “Çifutët dhe të krishterët nuk do të jenë të kënaqur kurrë me ty, derisa të pasosh fenë e tyre” – Allahu i Lartësuar tregon se çifutët dhe të krishterët nuk do të kënaqeshin kurrë me Profetin (s.a.u.s), derisa ai të pasonte fenë dhe rrugën e tyre. Ata e ftonin në fenë e tyre, duke pretenduar se ajo ishte feja dhe udhëzimi i drejtë. Atëherë, Allahu i Lartësuar e urdhëroi Profetin e Tij që t’ua hidhte poshtë këtë pretendim, duke thënë:
– “Thuaju: “Udhëzimi i Allahut është i vetmi udhëzim i drejtë.”” – Kuptimi: Vetëm udhëzimi të cilin unë e solla prej Allahut të Lartësuar është ai që meriton të quhet udhëzim i drejtë. Ndërsa rruga që ju pasoni dhe pretendoni se është e drejtë, në të vërtetë është ndjekje e dëshirave tuaja të sëmura. Prandaj i Lartësuari thotë më poshtë:
– “E nëse pas diturisë që të ka zbritur, ti ndjek dëshirat e tyre, atëherë nuk ke për të pasur as mbrojtës e as ndihmëtar të të shpëtojë prej Allahut.” – Ky ajet dëshmon se është e ndaluar rreptësisht pasimi i dëshirave dhe i rrugës së çifutëve dhe të krishterëve. Ai na ndalon nga përngjasimi me ta në cilësitë e tyre tipike dhe që lidhen me fenë që ata kanë.
Ky ajet, edhe pse i drejtohet Profetit (a.s.), dispozita e tij vlen për të gjithë umetin, sepse në këto raste merret për bazë kuptimi gjithëpërfshirës i ajetit dhe jo personi të cilit i drejtohet ky tekst. Kështu thotë edhe një parim në Sheriatin Islam: “Kuptimi gjithëpërfshirës i tekstit është më parësor për t’u marrë në konsideratë, sesa shkaku specifik për të cilin ka ardhur ky tekst.” Më tej, i Lartësuari thotë: