Duke na dhënë një pamje të qartë, për të dalluar ata që kanë marrë dituri dhe dritë nga Shpallja e Tij dhe punojnë me sinqeritet sipas saj, nga ata që nuk janë të tillë, Allahu i Madhëruar thotë:
– “Atëherë a është i njëjtë ai që e di se ajo që t’u shpall nga Zoti yt është e vërtetë, me atë që është i verbër?“ – Ata të cilët e dinë mirë dhe janë të sigurt se ajo që t’u shpall ty prej Zotit tënd është e vërteta e padiskutueshme, ata meditojnë dhe përpiqen të kuptojnë qartësisht mesazhin e Zotit të tyre. Pasi e kuptojnë mirë atë çfarë Zoti do prej tyre, ata nënshtrohen për të jetuar dhe punuar sipas saj. Kështu, këta nuk mund të jenë njëlloj me ata që Zoti i quan të verbër. Ata të mjerë nuk e njohin të vërtetën dhe, sigurisht, nuk punojnë sipas saj.
Mes dy grupeve ka një largësi të madhe, sa ajo mes qiejve dhe tokës. Çdo njeri i mençur dhe i urtë duhet të meditojë dhe ta kujtojë shpesh këtë krahasim të dy grupeve që bën Allahu i Lartësuar dhe vazhdimisht duhet t’i bëjë pyetjen vetes: Cili nga dy grupet është më i mirë? Pasi mendon me kujdes, le të bëjë zgjedhjen e duhur dhe t’i japë përparësi asaj që duhet dhe të mbledhë forcat për të ndjekur karvanin e të shpëtuarve. Por, sigurisht, jo çdokush gjykon drejt se çfarë i bën dobi dhe dëm. Allahu i Madhëruar na tregon se cilët janë ata të cilëve u bën dobi kujtimi. Ai thotë:
– “Vetëm njerëzit e mençur e kuptojnë (qortimin).“ – Pikërisht ata që kanë mendje të shëndoshë e kuptojnë të vërtetën. Ata janë të përzgjedhurit dhe më të mirët e botës ndër bijtë e Ademit. Nëse dëshiron të dish cilësitë e tyre, nuk ke për të gjetur përshkrim më të mirë sesa ai që vetë Krijuesi i tyre u ka bërë: