Select Page

Pyeti: “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës!” Thuaju: “Allahu!” – Drejtoju këtyre idhujtarëve, që, veç Allahut, adhurojnë puta dhe idhuj, të cilët i duan sikurse Allahun dhe u përkushtojnë atyre lloj-lloj adhurimesh dhe kurbanesh, dhe thuaju: “Vallë, e humbët logjikën kur i lejuat vetes që të merrni si mbrojtës këta idhuj dhe t’u përkushtonit atyre adhurime, edhe pse ata nuk meritojnë aspak adhurim? A nuk ia bëtë këtë pyetje vetes tuaj?!

Thuaj: “Mos, vallë, keni zgjedhur zota të tjerë veç Tij, që edhe vetes së tyre nuk mund t’i bëjnë as dobi e as dëm?”  Mendoni pak për ata që ju i adhuroni veç Allahut:

Thuaj: “A është i barabartë i verbri me atë që sheh, dhe a janë të njëjta errësirat me dritën?” – Allahu i Lartësuar është Absolut dhe i Plotë me emrat dhe cilësitë e Tij. Ai është Pronari i të gjallëve dhe të vdekurve. Në dorën e Tij është krijimi, administrimi i çështjeve të krijesave dhe vetëm në dorën e Tij është dëmi dhe dobia. Atëherë, si e lini adhurimin e Allahut dhe tregoheni mosmirënjohës ndaj përkujdesit dhe mirësive të Tij?

Adhurimi i Zotit si një dhe i vetëm kurrë nuk mund të jetë njëlloj si adhurimi i idhujve, ashtu sikurse nuk mund të jenë njëlloj ai që shikon me të verbërin dhe as drita me errësirat. Idhujtarët pretendojnë se Allahu ka ortakë, të cilët mund të krijojnë e bëjnë ashtu si krijimi i Tij dhe kanë pushtet si pushteti i Tij, por këto pretendime janë fryt i dyshimeve dhe paqartësive të tyre. Atëherë, ti, o i dërguar, dhe çdokush që kryen misionin tënd, largojua këto dyshime dhe paqartësira! Mësoju atyre se Allahu është i vetmi i Adhuruar, përmes argumenteve dhe fakteve!

Apo, mos vallë, besojnë se Allahu ka ortakë, të cilët kanë krijuar ashtu siç krijoi Ai, dhe tashmë ky krijim iu ngjan njëlloj?  Është e pamundur që diçka të krijojë vetveten dhe po ashtu është e pamundur që të ekzistojë vetë, pa pasur një krijues. Atëherë, është e padiskutueshme që ekziston vetëm një Krijues, që nuk ka shokë në pushtetin për të krijuar dhe për rregulluar çështjet e krijesave të Tij. Vetëm Ai duhet të adhurohet, se Ai është Një dhe i Vetëm, dhe gjithashtu, Ai është El Kahar – domethënë, Nënshtruesi i gjithçkaje me pushtetin e Tij absolut.

Thuaj: “Allahu është i vetmi Krijues i çdo gjëje; Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!” – Askush tjetër veç Allahut nuk i ka këto cilësi njëkohësisht: i Vetëm dhe Unik, si edhe Ngadhënjimtar dhe Nënshtrues i gjithçkaje. Krijesat nuk mund të jenë të tilla. Mbi çdo krijesë ka një krijesë tjetër më të fortë, që e nënshtron dhe e mposht atë; por edhe mbi këtë ka një tjetër më të fortë dhe të pushtetshëm, derisa të përfundojmë te Sunduesi absolut, te Nënshtruesi i gjithçkaje, që është Allahu i Lartësuar.

Askush nuk është mbi Allahun. I plotpushtetshmi duhet të jetë domosdoshmërisht i vetëm e i pashoq, dhe i tillë është veçse Allahu i Madhëruar. Ky është një argumentim logjik, që tregon për njëshmërinë e Allahut të Lartësuar. Kjo tregon gjithashtu se çdo gjë që krijesat adhurojnë, veç Allahut të Lartësuar, është e pafuqishme e nuk ka në dorë asgjë prej krijimit dhe pushtetit të vërtetë, prandaj adhurimi i tyre është i kotë e i pavlerë.