– “Ai (Jusufi) tha: “Më cakto mua si përgjegjës të depove të vendit!” – Kështu, Jusufi i kërkoi që të bëhej ministër i depove dhe ekonomisë së mbretërisë, me qëllim që të kujdesej ai për të gjitha të ardhurat e tokës dhe administrimin e tyre. Më pas tha:
– “Unë të ofroj besnikërinë dhe diturinë time.”.” – Unë jam shumë i kujdesshëm. Pasurinë e vendit do ta shpenzoj atje ku duhet dhe asgjë nuk do të humbasë. Unë do të jem korrekt në mbulimin e kësaj detyre. Unë di si të administroj gjithçka që futet dhe del nga depoja. Unë të premtoj besnikëri dhe urtësi në punë.
Kjo nuk tregon se Jusufi thjesht lakmonte të ishte në krye të kësaj detyre, por që ai dëshironte të ishte i dobishëm me diturinë dhe drejtësinë e tij. Duke qenë se ai i njihte mirë aftësitë e veta për ta bërë atë punë, ai e kuptoi se do të ishte shumë e dobishme për të gjithë njerëzit që këtë post ta merrte ai. Edhe nga ana tjetër, duke qenë se të tjerët nuk e kishin ndershmërinë dhe aftësinë e Jusufit, ai u ndie i detyruar që ta kërkonte haptas diçka të tillë. Pas kësaj kërkese, Mbreti e vendosi atë si përgjegjës të depove të mbretërisë, siç tregon Allahu i Lartësuar:
“Kështu, Ne i dhamë Jusufit pozitë të lartë në atë vend, që ai të zotëronte çfarë të dëshironte e ku të dëshironte.” – Kështu, Allahu i Lartësuar i mundësoi Jusufit një jetë të mirë plot begati, pasuri, pushtet dhe autoritet. E si të ishte ndryshe, kur ajo ishte mirësi e dhuruar prej Allahut të Lartësuar për profetin e Tij të dashur dhe të devotshëm?! Thotë i Lartësuari:
– “Ne e bekojmë me mëshirën Tonë atë që duam dhe kurrë nuk ua humbim shpërblimin vepërmirëve.” – Kjo ishte mëshira e Allahut të Lartësuar për Jusufin. Ajo ishte dhuratë nga Allahu i Lartësuar, që është bujar dhe bamirës me të sinqertët dhe të dashurit e Tij. Sigurisht, mëshira e Allahut të Lartësuar për Jusufin dhe për të sinqertët nuk është e kufizuar vetëm për këtë botë, por edhe për ahiretin. Premtimi për botën e ardhshme është i mrekullueshëm:
– “Por pa dyshim, shpërblimi i botës tjetër është shumë më i mirë për ata që besojnë dhe janë të devotshëm.” – Jusufi ishte një nga prijësit e vepërmirëve (muhsinin), prandaj meritoi shpërblim në dynja dhe në ahiret. Siç thotë Allahu i Lartësuar: shpërblimi i botës tjetër, është shumë herë më i mirë për besimtarët dhe të devotshmit, për ata që besojnë drejt dhe jetojnë sipas besimit të pastër.
Ata largohen nga gjynahet e mëdha dhe nga gjynahet e vogla. Ndërsa imani i tyre i plotë konsiston në pranimin e sinqertë të gjithçkaje që ka urdhëruar Zoti të besohet, duke e shoqëruar me akte zemre dhe trupi, duke kryer të gjitha detyrimet dhe veprat e pëlqyeshme. Është ky lloj besimi që i shtyn ata të kryejnë të gjitha këto gjëra që i do dhe i pëlqen Allahu i Lartësuar.