– “Atë e bleu dikush nga Misiri, i cili i tha së shoqes: “Le të jetojë i nderuar mes nesh!” – Karvani që bleu Jusufin nga vëllezërit e tij shkoi në Misir (Egjipti i sotëm) dhe atje e shitën. Ai që e bleu ishte një fisnik. Kur e pa djaloshin, i pëlqeu shumë, prandaj e porositi gruan e tij: “Le të jetojë i nderuar mes nesh!”
– “Ai do të na sjellë dobi të shumta ose do ta birësojmë.” – “Djali do të na shërbejë ashtu si skllevërit e tjerë ose do të kënaqemi me të, njëlloj sikur ta kemi fëmijën tonë.” Ai e tha këtë, sepse ndoshta ata nuk kishin fëmijë.
– “Kështu e venduam Jusufin në tokë …” – Pjesë e planit madhështor të Allahut të Lartësuar ishte që bëri të mundur që ai i cili do të blinte Jusufin të ishte një ministër në Egjipt. Ishte Allahu i Madhëruar Ai që e bëri të mundur që Ministri ta vlerësonte Jusufin në këtë mënyrë. Ky ishte fillimi i ngritjes dhe i fuqizimit të Jusufit.
– “… dhe i mësuam shpjegimin e ëndrrave.” – Në këtë mënyrë, Jusufi kishte liri dhe kohë të mjaftueshme që t’i përkushtohej më tepër dijes. Ai ishte i zoti në shumë fusha të dijes, por Allahu i Lartësuar e dalloi duke i dhënë privilegjin e njohjes së shpjegimit të ëndrrave.
– “Allahu është Mbizotërues i të gjitha çështjeve,” – Çfarë vendos Allahu i Lartësuar, pikërisht ajo ka për t’u zbatuar. Askush nuk mund ta refuzojë apo ta pengojë vendimin e Allahut të Lartësuar, ashtu si askush nuk mund ta mposhtë pushtetin e Tij apo ta ndalë fjalën dhe caktimin e Tij.
– “… por shumica e njerëzve nuk e dinë.” – Ata nuk dinë, prandaj veprojnë në këtë mënyrë. Të mjerët njerëz përpiqen që të mposhtin apo të kthejnë pas caktimin e Zotit të Lartësuar, por ata nuk e kuptojnë se janë shumë shumë të dobët për diçka të tillë, që është thjesht e pamundur.