– “Ne po të përcjellim ty më të bukurën e historive në këtë Kur’an që të kemi shpallur. …” – Allahu i Lartësuar e ka quajtur Kur’anin: “Ahsenel Kasas“, domethënë, rrëfimin më të bukur, sepse ai është një rrëfim i vërtetë, në të cilin nuk ka asnjë dyshim. Ai nuk është një trillim imagjinate, por një realitet. Kur’ani është përcjellë përmes fjalëve dhe shprehjeve më të bukura dhe më të zgjedhura. Ai përmban kuptime të gjera, të thella dhe të mrekullueshme, nga të cilat përfitohen shumë dobi dhe mirësi.
Nuk ka dyshim se Kur’ani është fjala më e bukur, më e plotë dhe më e dobishme e sjellë nga Allahu i Lartësuar. Bukuria e tij qëndron pikërisht në urtësitë dhe mësimet e mrekullueshme që ai përmban. Me shpalljen e këtij libri madhështor dhe të pakrahasueshëm, Allahu i Lartësuar e dalloi profetin Muhamed (a.s)dhe umetin e tij mbi të gjithë të tjerët. Kjo ishte thjesht një mirësi dhe dhuratë nga Allahu i Lartësuar, i Cili është Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm:
– “Përpara kësaj ti ishe ndër ata që nuk dinin.” – Kuptimi: Ti nuk e dije se çfarë ishte Shpallja dhe çfarë ishte feja, përpara se Allahu i Lartësuar të të shpallte ty Kur’anin madhështor. Allahu i Lartësuar, sikurse thotë në një ajet tjetër, 104 e ka bërë Kur’anin “dritë”, me të cilën ndriçon dhe udhëzon ata që Ai dëshiron. Allahu i Lartësuar e lavdëron Kur’anin, duke e përshkruar atë si “rrëfimi më i mirë dhe më i bukur”. Asnjë fjalë tjetër nuk mund t’i afrohet mirësisë dhe bukurisë së këtij libri. Pas lavdërimit të Kur’anit, Allahu i Lartësuar vijon që të tregojë një ndër historitë më të bukura dhe më dobiprurëse, atë të Jusufit (a.s):
104 Bëhet fjalë për suren El Shura, ajetet 52-53, ku Allahu i Madhëruar thotë: “Po kështu Ne të shpallëm ty Libër (jetëdhënës) prej Nesh. Ti nuk dije çfarë ishte Libri dhe as ç’ishte imani, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën e udhëzojmë në rrugë të drejtë atë që Ne dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë, Në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç’ka në qiej dhe ç’ka në Tokë. Ta dini, se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.”