Select Page

– “Ata pasuan atë që lexonin shejtanët në kohën e sundimit të Sulejmanit.” – Në kohën e Sulejmanit (a.s.), shejtanët filluan t’u mësonin njerëzve magjinë, madje pretendonin se edhe vetë Sulejmani (a.s.) e ushtronte atë. Ata shpifnin duke thënë se ai (a.s.) e arriti pushtetin dhe pasurinë që kishte nëpërmjet magjisë. Por Allahu i Lartësuar ua hedh poshtë këtë trillim ndaj Profetit të Tij dhe thotë:

– “Por Sulejmani nuk ishte mohues. Mohues ishin shejtanët, …” – Profeti i Tij kurrë nuk mund të bënte një vepër kufri. Sulejmani kurrë nuk e mësoi magjinë dhe as nuk e përdori atë. Ata që bënë kufër ishin pikërisht shejtanët, të cilët u mësonin njerëzve magjinë dhe i nxisnin për ta ushtruar atë. Ata ishin shumë të zellshëm për t’i çuar njerëzit në humbje. Të tillë ishin edhe çifutët, që pasuan magjinë e shfaqur nëpërmjet dy melekëve në Babiloni, në vendin ku ndodhet Iraku sot.

– “… të cilët u mësonin njerëzve magjinë dhe atë (lloj magjie) që u zbriti dy melekëve në Babiloni: Harutit dhe Marutit.” – Këta dy melekë u shfaqën si sprovë për njerëzit. Allahu i Lartësuar deshi t’i sprovonte njerëzit me këta dy melekë, të cilët njihnin magjinë dhe mund t’ua mësonin atë të tjerëve. Por para se t’ua mësonin magjinë, ata gjithmonë i paralajmëronin njerëzit, siç tregon Allahu i Lartësuar:

  “Ata (dy melekët) nuk ia mësonin (magjinë) askujt, para se t’i thonin: “Ne jemi dërguar vetëm për t’ju sprovuar, pra mos u bëj mohues (duke mësuar magjinë)!”” – Ata (dy melekët) nuk ia mësonin askujt magjinë, para se ta paralajmëronin dhe ta këshillonin se kjo qe sprovë prej Allahut të Lartësuar. Pra, çdo person e këshillonin: “Mos u mashtro, mos e mëso magjinë, se ajo është vepër kufri.” Kështu, ata i ndalonin njerëzit nga magjia, duke i paralajmëruar se ajo konsiderohet si mohim ndaj Allahut.

Ndërsa përhapja e magjisë nëpërmjet shejtanëve ishte shkatërrimi vetë. Ata synonin që të devijonin njerëzit nga rruga e vërtetë dhe t’i çonin drejt humbjes. Madje, ata e justifikonin këtë shejtanëzi të tyre duke gënjyer se edhe Sulejmani (a.s.) e ushtronte atë vepër. Por është e sigurt që Allahu i Lartësuar kurrsesi nuk mund ta lejonte një Profet të Tij që të binte në grada kaq të ulta.

Edhe dy melekët ishin veçse sprovë për njerëzit, të cilët në çdo rast paralajmëroheshin që të mos e mësonin magjinë, se përndryshe nuk do të kishin asnjë justifikim para Allahut të Lartësuar.  Kështu pra, çifutët filluan të mësonin magjinë prej shejtanëve dhe prej dy melekëve, duke i hedhur pas shpine këshillat e të dërguarve të Allahut. Ata  iu dhanë me gjithë shpirt kësaj vepre shejtanëzore, dhe dihet që çdokush i përkushtohet asaj gjëje që i shkon për shtat. Pastaj Allahu i Lartësuar përmend dëmet që sjell magjia:

– “Dhe njerëzit mësuan prej tyre se si ta ndanin burrin prej gruas.” – Dihet që dashuria mes bashkëshortëve, për nga rëndësia, nuk krahasohet me asnjë dashuri tjetër ndërnjerëzore. Duke folur për këtë ndjenjë të fuqishme mes atyre të dyve, i Lartësuari thotë: “Ai (Allahu) vendosi mes jush dashuri dhe mëshirë”. Kurse magjia, nga ana e saj, i humbet dhe i zhduk këto ndjenja.

Kjo tregon, gjithashtu, se magjia është e vërtetë dhe ndikuese, por ajo dëmton vetëm nëse Allahu i Lartësuar e lejon një gjë të tillë.  Megjithatë, duhet ditur që, nëse Allahu i Lartësuar e lejon diçka, kjo nuk do të thotë me domosdo që Ai ka dashuri për atë gjë. Allahu i Lartësuar  mund të lejojë të ndodhë edhe diçka që nuk e pëlqen, pasi lejimi i Tij është dy llojesh:

1. Lejim në funksion të përcaktimit të Tij hyjnor (idhnun kaderij). Këtë lloj, Allahu i Lartësuar, me urtësinë e Tij, e ka dëshiruar që të ekzistojë si sprovë për njerëzit, pavarësisht se ajo mund të jetë e urryer për Atë, sikurse është edhe rasti i përmendur në këtë ajet (për magjinë).

2. Lejim sipas dispozitave të drejta të Sheriatit të Allahut (idhun sherij). Me fjalë të  tjera, ky lejim është më tepër një urdhër prej Allahut për të bërë diçka. Nëse lejimi i parë mund të jetë ose jo i urryer për Allahun e  Lartësuar, lloji i dytë është veçse i dashur për Të,  sepse Allahu i Lartësuar urdhëron veçse për atë që është e mirë dhe e dashur për Atë.

– “… Por ata nuk mund t’i bënin dëm askujt me atë (magji), përveçse me lejen e Allahut.”  Ky ajet, por dhe ajete të ngjashme me të, dëshmon se shkaqet në këtë gjithësi, sado të fortë ta kenë ndikimin, ato përsëri janë të varura nga përcaktimi dhe lejimi i Krijuesit. Ato kurrsesi nuk janë të pavarura në ndikimin dhe veprimin e tyre. Ky është një parim shumë i rëndësishëm, të cilin asnjë sekt nuk e ka kundërshtuar, përveç kaderive, të cilët pretendojnë se veprat e robërve  janë krejtësisht të pavarura nga fakti se a i lejon apo jo i Plotfuqishmi.

Ata mendojnë që Allahu i Lartësuar nuk ka aspak mundësi  që të ndikojë në veprimet e tyre! Por e vërteta është se asgjë nuk mund t’i shpëtojë pushtetit absolut të të Plotfuqishmit. Ata, në këtë mënyrë, kanë kundërshtuar Librin e Allahut, Traditën e Profetit (a.s) dhe mendimin konsensual të sahabëve dhe tabi’inëve. Më tej, i Madhëruari thotë se dija rreth magjisë nuk ka kurrfarë dobie:

– “Ata mësonin çfarë u sillte dëm, e jo atë që u sillte dobi.”. – Në disa lloje gjynahesh, njeriu mund të gjejë ndonjë dobi të kësaj dynjaje. Por Allahu i Lartësuar na lajmëron se mësimi i magjisë nuk të sjell asnjë lloj dobie, as në dynja e as në jetën tjetër. Për shembull, për alkoolin dhe kumarin, Ai thotë: “Thuaju se ato janë gjynahe të mëdha, por kanë edhe dobi për njerëzit. Megjithatë, gjynahu i tyre është më i madh se dobia që sjellin.” [Bekare, 219].

Ndërsa magjinë e ka konsideruar si një dëmtuese të pastër, pa kurrfarë dobie. Asgjë nuk e bën të nevojshme mësimin e saj. Të tilla janë të gjitha gjërat të cilat na i ka ndaluar Allahu i Lartësuar: ose janë krejtësisht të dëmshme, ose kanë dobi të papërfillshme përballë dëmeve dhe gjynaheve që sjellin. Ndërsa urdhëresat e Tij, ose janë tërësisht të dobishme, ose dobia dhe shpërblimi i madh i tyre e bën të papërfillshëm atë pak mundim dhe dëm që ato sjellin në këtë jetë.

– “Ata ishin krejtësisht të vetëdijshëm se ai që e përvetësonte atë (magjinë), nuk do të kishte pjesë në Jetën tjetër.” –  Domethënë, çifutët e dinin shumë mirë se kjo tregti e tyre për të blerë magjinë, duke e paguar me gjënë më të vyer, do të sillte për ta një përfundim të dëshpëruar. Ata e dinin se nuk do të kishin pjesë në mëshirën e Allahut.

Me këtë shkëmbim, ata merituan ndëshkimin e përjetshëm. Kësisoj, ata nuk e kryen veprën e ulët nga padituria, por ata thjesht shprehën qartë dashurinë e tyre për këtë jetë, kundrejt jetës së amshuar pranë Allahut dhe mëshirës së Tij.

– “Sa e keqe është ajo për të cilën ata shitën veten! Ah, sikur ta dinin!” – Kuptimi: Si është e mundur që ata nuk e kuptojnë se çfarë humbën nga duart, dhe se çfarë dëshpërimi të përjetshëm fituan?!