– “Ne të kemi shpallur ty argumente të qarta …” – Ky Kur’ân është udhëzues për ata që e kërkojnë udhëzimin prej tij. Ndërsa për ata që i kthejnë shpinën, ky do të jetë dëshpërim, sepse me sqarimet e tij, ata nuk do të kenë asnjë justifikim para të Madhëruarit. Ata nuk do të kenë asnjë justifikim, sepse Kur’âni është aq i qartë, aq i kthjellët, aq i sigurt në gjithçka që përshkruan, që urdhëron dhe që ndalon, saqë nuk mund të mohohet dhe shpërfillet nga askush. Thotë i Lartësuari:
– “… të cilat nuk i mohon askush, përveç atyre që i shkelin kufijtë (e Zotit). – Pra, atë nuk e mohon askush, përveç atyre që kanë dalë jashtë kontrollit të vetes dhe jashtë kufijve të Allahut, që nuk i binden të Madhëruarit dhe që janë mendjemëdhenj e kundërshtues.