– “Mos po thonë, vallë se “ai e trilloi atë.”?” – Kujt i referohet përemri “ai” në këtë ajet, Nuhut apo Muhamedit a.s? Janë dy mendime dijetarësh për këtë çështje:
1. Në ajet flitet për Nuhun, sepse shihet në kontekstin e historisë së këtij Profeti me popullin e tij dhe polemikat mes tyre. Atëherë, pyetja kuptohet: Vallë, ata po thonë se Nuhu trillon gënjeshtra e shpifje ndaj Allahut të Lartësuar?! A po thonë se Nuhu gënjen se po i jepet Shpallje nga Zoti? Le ta dinë ata të mjerë se Allahu i Madhëruar e urdhëroi profetin Nuh të thotë: “Thuaj: “Nëse unë e kam trilluar atë, atëherë ai do të ishte gjynahu im. Por unë jam i pastër nga gjynahet që bëni ju.”” Pra, nëse është e vërtetë kjo që thoni, atëherë ky është një krim që rëndon mbi mua, por ju, gjithsesi, do të pyeteni për krimet tuaja. Askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit.
2. Ka mundësi të bëhet fjalë për Muhamedin (a.s.). Në këtë rast, ky do të ishte një ajet i përmendur mes historisë së Nuhut (a.s.) me popullin e tij. Edhe ky është një mendim i konsiderueshëm dhe i pranueshëm. Allahu i Madhëruar e solli historinë e Nuhut dhe popullit të tij në Kur’an si argument që tregon besnikërinë e Muhamedit (a.s)dhe vërtetësinë e Shpalljes së tij. Në këtë kontekst, i Madhëruari përmend kundërshtimin e Shpalljes së Zotit nga populli i Muhamedit a.s: “Mos po thonë, vallë, se ai e trilloi atë?” Në fakt, ky lloj pretendimi i sjellë nga mohuesit është i pavërtetë dhe tepër i çuditshëm, sepse të gjithë e dinë se profeti Muhamed (a.s)nuk dinte as shkrim, as lexim.
Të gjithë e dinë që ai nuk kishte udhëtuar e as nuk kishte takuar më parë ndonjë çifut apo të krishterë, nga ku të mësonte apo studionte historinë e profetëve. Atëherë, nga i erdhi gjithë ai informacion, që mund ta dinte veçse një profet?! Si është e mundur që ai të sillte një libër kaq madhështor, madje t’i sfidonte duke i ftuar të sillnin qoftë edhe një sure të shkurtër të ngjashme me të?!
Nëse ata i thonë këto fjalë, atëherë është thjesht një pretendim i thatë, që tregon se ata janë injorantë, kokëfortë, mohues dhe mosbesues. Në një rast të tillë, nuk ka më dobi nga polemika dhe ftesa e tyre. Madje, veprimi më i drejtë është distancimi prej tyre. Prandaj dhe Allahu i Madhëruar e urdhëron Profetin e Tij:
– “Thuaj: “Nëse unë e kam trilluar atë, atëherë ai do të ishte mëkati im, por unë jam i pastër nga krimi që ju kryeni!”” – Kuptimi: Nëse unë do të shpifja gënjeshtra, ky do të ishte vërtet një krim shumë i madh, që do të meritonte ndëshkimin më të rëndë. Por, pa mendoni pak në të njëjtën mënyrë edhe për veten tuaj: nëse unë jam i pastër nga kjo akuzë, gjë për të cilën dëshmojnë faktet dhe mrekullitë e shumta që Zoti më ka dhuruar, atëherë kush do t’ju mbrojë ju nga ndëshkimi i merituar për këtë krim të shëmtuar? A nuk është ky një krim, për të cilin duhet të mendoheni mirë?! Nëse mendoni në këtë mënyrë, atëherë pyetja që duhet të shtrohet është: përse ju e përthelloni mohimin tuaj?