– “O populli im! Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri për këtë. Shpërblimi im është vetëm nga Allahu.” – Unë nuk ju kërkoj ndonjë pasuri në këmbim të pranimit të ftesës sime në rrugën e drejtë, që ju të pretendoni se po rëndoheni.
– “Unë nuk kam për t’i dëbuar kurrë besimtarët.” – Me sa duket, ata i kërkuan Profetit që t’i dëbonte besimtarët e varfër, të dobëtit dhe jo të fismit. Por ai u përgjigj: Unë nuk i përzë kurrë besimtarët. Kjo është padrejtësi, prandaj unë nuk mund ta bëj atë. Përkundrazi, unë jam urdhëruar që t’i pres e t’i trajtoj ata me dashuri, dhembshuri, bujari e mirësjellje.
– “Ata do të takohen me Zotin e tyre; …” – Është Allahu i Madhëruar Ai që ka të drejtën e llogarisë dhe të shpërblimit të robërve . Ai do t’i shpërblejë robërit e Tij besimtarë për imanin dhe devotshmërinë e tyre, duke i futur në Xhenetin e mirësisë.
– “… kurse ju, po shoh se jeni njerëz që nuk dini.” – Kërkesa juaj për të përzënë eulijatë e Allahut është injorancë e thellë. Është injorancë, gjithashtu, që ju refuzoni të vërtetën për shkak se atë e kanë pranuar këta njerëz. Padituri është edhe justifikimi juaj se unë qenkam thjesht një njeri si ju dhe nuk ka pse të kem ndonjë përparësi ndaj jush.