Select Page

– “E nëse atëherë (zotat tuaj të remë) nuk ju përgjigjen, atëherë dijeni se kjo shpallje është zbritur me dijen e Allahut …” – Nëse ata nuk i përgjigjen kësaj sfide, – dhe s’ka si të ndodhë ndryshe, – atëherë mësojeni dhe krijoni bindjen e plotë se ky libër është zbritur me diturinë e Zotit. Ky është një fakt i padiskutueshëm, që sfidon këdo. Mësoni, gjithashtu, dhe krijoni bindje të plotë se:

“… dhe se nuk ka asnjë të adhuruar me meritë veç Tij.” – Vetëm Allahu është i meritueshëm për t’u adhuruar. Vetëm Atij duhet t’i përkushtohen adhurimet e krijesave.

– “A nuk po nënshtroheni si muslimanë?”” – A nuk po dorëzoheni e të nënshtroheni për adhurimin e Tij? Nga këto ajete nxjerrim mësim që thirrësi në rrugën e drejtë nuk duhet të ndikohet dhe shqetësohet nga kundërshtimet, fyerjet dhe shpifjet e batakçinjve. Argumentet e tyre janë të pabaza dhe nuk mund të cenojnë aspak vërtetësinë dhe madhështinë e kësaj feje, në të cilën ai i fton njerëzit.

Zemra e thirrësit kurrë të mos ngushtohet, por përkundrazi, të gjejë prehje dhe qetësi të plotë në faktin se është në rrugën e drejtë dhe të pacenueshme. Ai duhet të vazhdojë i sigurt dhe shpresëplotë për të realizuar e përkryer urdhrat e Zotit të tij. Çështja më e rëndësishme që duhet ta angazhojë të jetë përkushtimi i plotë në zbatimin e çdo porosie të Zotit.

Thirrësi nuk duhet të harrojë asnjëherë se nuk e ka për detyrë që t’i përgjigjet çdo pyetjeje e të plotësojë çdo propozim të natyrëprishurve, ashtu si nuk e ka detyrë që t’u sjellë atyre çdo lloj argumenti e fakti që ata i kërkojnë për ta pasuar. Mjafton ky Kur’an madhështor, të cilin nuk mund ta kundërshtojë askush, për të argumentuar vërtetësinë e saktësinë e të gjitha urdhëresave e qëllimeve të Zotit me krijesat. Kur’ani mjafton si përgjigje për çdo kërkesë e propozim që ata sjellin. Në këto ajete kuptohet se vetë Kur’ani është mrekullia më e madhe me të cilën Zoti e pajisi një profet. Ai është sfidë e hapur, që asnjë krijesë nuk mund ta përballojë.

Asnjë krijesë nuk mund të sjellë diçka të ngjashme apo të përafërt me të, madje as dhjetë sure të ngjashme me suret e tij, madje as edhe një sure të vetme që të mund t’i afrohet atij. Kjo vërtetohet nga fakti i njohur dhe i pakundërshtueshëm se arabët, bashkë me poetët e tyre më të mëdhenj, kurrë nuk mundën të sjellin diçka të ngjashme me madhështinë e këtij libri, edhe pse Zoti i sfidoi për këtë.

Përkundrazi, ata gjithmonë bindeshin se ishin të pafuqishëm për diçka të tillë. Në këto ajete kuptohet se, në disa çështje të rëndësishme është e domosdoshme dituria e plotë, domethënë, nuk mjaftojnë thjesht supozimet me përafërsi apo hipotezat. Të tilla janë dituria rreth Kur’anit, rreth teuhidit e të ngjashme. Në të tilla raste kërkohet dituri e sigurt, sipas kritereve rigoroze të përcaktuara nga feja jonë madhështore. Kjo kuptohet nga urdhri i Allahut: “fea’lemu“, pra, ta dini me siguri se Kur’ani u zbrit me diturinë e lejen e Zotit dhe se askush tjetër nuk e meriton të adhurohet veç Tij.