– “Nuk bëjnë kështu ata të cilët kanë durim dhe bëjnë vepra të mira …” – Këta fatlumë janë ata të cilët bëjnë durim gjatë sprovave dhe kurrë nuk e humbasin shpresën në mëshirën dhe bujarinë e të Madhëruarit. Janë ata të cilët, kur Zoti i begaton me mirësi dhe ua largon sprovat, dinë të jenë të përulur e modestë, të mos shesin mend e as të nënçmojnë të tjerët.
Ata tregohen mirënjohës ndaj Dhuruesit të mirësive dhe bamirës ndaj krijesave. Ata i sheh vazhdimisht duke kryer punë të mira, ashtu sikurse i porosit Zoti i tyre. Ata përpiqen të jenë të rregullt, duke kryer çdo detyrë apo vepër të pëlqyeshme, si shprehje të adhurimit për Zotin e tyre. Për këta të zgjedhur, i Madhëruari ka rezervuar diçka të mrekullueshme:
– “… Për ta do të ketë falje dhe shpërblim të madh.” – Allahu Bujar dhe i Gjithëmëshirshëm premton falje dhe mbulim të të metave e gjynaheve të tyre. Falja e gjynaheve do të thotë garanci dhe ruajtje nga çdo gjë së cilës ata i druhen. Por ata kanë, gjithashtu, edhe premtimin për një shpërblim të madh. Ky shpërblim është përjetësia në Xhenetin e mirësisë dhe begatisë, ku do të kenë çdo gjë që ua dëshiron shpirti dhe ua kënaq sytë, trupin dhe zemrën.