– “Dhe (t’ju këshilloj) që ju t’i kërkoni falje Zotit tuaj dhe të ktheheni tek Ai të penduar,” – Ky libër është shpallur që ju t’i kërkoni falje Zotit tuaj për çdo gjynah e mosbindje ndaj Tij dhe që vazhdimisht të pendoheni para Tij, duke vendosur të vazhdoni jetën që ju ka mbetur në bindje e përkushtim ndaj Tij. Të pendoheni sinqerisht, duke hequr dorë nga gjithçka që Zoti juaj nuk e do dhe të vendosur për t’iu përkushtuar tërësisht gjërave që e kënaqin Atë dhe që Ai i dëshiron prej jush. Pastaj i Madhëruari tregon shpërblimin për njerëzit, nëse kërkojnë falje dhe pendohen sinqerisht:
– “që Ai t’ju mundësojë të kënaqeni me përjetime të bukura deri në një afat të caktuar dhe pastaj çdo punëmiri t’i japë mirësinë që i takon.” – Ai ka për t’ju dhuruar plot mirësi dhe begati, që ju të kënaqeni dhe të përfitoni prej tyre, deri në afatin e përcaktuar, domethënë deri kur t’ju vijë vdekja. Gjithashtu, jini të sigurt se kushdo që bën vepra të mira dhe jeton sipas porosive të Zotit ka për t’u nderuar me bujarinë dhe mirësinë e Tij të pakufijshme, duke iu mundësuar çdo mirësi e dynjasë dhe e ahiretit dhe duke u mbrojtur nga çdo e keqe e dynjasë dhe e ahiretit.
– “E nëse ata refuzojnë, thuaju: “Unë kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe.” – Nëse i ktheni shpinën kësaj ftese, e aq më keq ta konsideroni si trillim e gënjeshtër, kam frikë se do t’ju kapë ndëshkimi i Ditës së Madhe. Ajo është Dita e Kijametit, kur Allahu i Lartësuar do të tubojë të parët dhe të fundmit dhe do t’i shpërblejë sipas veprave të tyre. Nëse kanë punuar mirë, do t’i shpërblejë me mirësinë e bujarinë e Tij, e nëse kanë punuar keq, do t’i ndëshkojë me drejtësinë e Tij.