Select Page

– “Ata thonë: “Zemrat tona janë të vulosura!” – Kështu, Allahu i Lartësuar tregon një justifikim qesharak nga ana e tyre, të cilin ata e përdornin shpesh, për të justifikuar mosbesimin që kishin ndaj ftesës së Muhamedit (a.s). Ata justifikoheshin se nuk mund ta besonin dhe ndiqnin atë, sepse zemrat e tyre ishin të vulosura e, rrjedhimisht, nuk mund t’i kuptonin dot ato që ai u thoshte.

Kësisoj, ata pretendonin se ishin të justifikuar përpara Allahut të Lartësuar, pasi nuk kishin dije rreth këtij Profeti dhe argumenteve të tij. Por ky qe një mashtrim nga ana e tyre, për shkak të të cilit ata u mallkuan nga Allahu i Lartësuar, siç thotë Ai:

– “Allahu i ka mallkuar ata për shkak të refuzimit të së vërtetës, prandaj shumë pak prej tyre besojnë.” – Pra, Allahu i Lartësuar e ka quajtur “mohim” pretendimin e tyre, për të cilin meritonin mallkimin, dëbimin larg mëshirës së Mëshirëplotit. Për këtë arsye, janë të pakët ata që besojnë mes tyre, sepse i pakët është imani brenda zemrave të tyre.