Select Page

Të gjithë ju do të kaloni pranë tij (Xhehenemit) dhe ky është një vendim i prerë i Zotit tënd. – Këto fjalë u drejtohen të gjitha krijesave, vepërmirëve e vepërkëqijve, besimtarëve e jobesimtarëve. Të gjithë, pa përjashtim, do të kalojnë pranë Zjarrit, dhe ky është një vendim që Zoti e ka marrë vetë dhe me të kërcënon robt e Tij. Ky është një vendim që do të realizohet patjetër dhe të cilit nuk mund t’i shmanget askush. Janë dhënë mendime të ndryshme rreth kuptimit të shprehjes: “do të kaloni pranë tij”.

Disa janë të mendimit se kjo do të thotë: “do të kaloni përmes tij”. Pra, edhe besimtarët, edhe mohuesit do të kalojnë përmes Xhehenemit, por për besimtarët ai do të jetë i freskët dhe paqe dhe nuk do ta ndiejnë aspak nxehtësinë e tij. Disa thonë se kuptimi është: “do të qëndrojnë para tij”, në mënyrë që të gjithë të ndiejnë frikën nga dënimi i tij, por më pas Allahu shpëton të devotshmit. Të tjerë thonë se qëllimi këtu është për kalimin në urën që shtrihet mbi Xhehenem.

Njerëzit do të kalojnë mbi të me një shpejtësi që do të jetë në varësi të veprave që kanë bërë: disa si një pulitje sysh, disa si stuhi, disa me shpejtësi kalorësi, disa me vrap, disa duke ecur shpejt e disa ngadalë, disa do të tërhiqen zvarrë, e disa të tjerë do të kapen e rrëmbehen nga çengelat e Xhehenemit. Secili do të ecë sipas shkallës së devotshmërisë dhe besimit të tij në këtë jetë.