Select Page

– ”Këto janë xhenetet që Ne do t’ua japim robërve  Tanë që ishin të devotshëm.” – Këto kopshte janë bërë për t’ua lënë trashëgim të devotshmëve, që jetojnë ashtu si i porosit Zoti i tyre dhe e adhurojnë Atë ashtu si i urdhëron në shpalljet e Tij, me sinqeritet vetëm për Të. Ky do të jetë vendi i tyre i përhershëm, nga i cili nuk do të kërkojnë kurrë të largohen. Atje do të lumturohen përjetësisht, sikurse thotë Zoti: “Bindjuni Allahut dhe të Dërguarit, që të mëshiroheni! Nxitoni për faljen e gjynaheve nga Zoti juaj dhe për një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa gjerësia e qiejve dhe e tokës!

Ai është përgatitur për të devotshmit. Për ata që japin kur janë në bollëk dhe kur janë në vështirësi. Ata e përmbajnë zemërimin dhe i falin njerëzit. Allahu i do bamirësit. Edhe ata që kur bëjnë ndonjë gjë të shëmtuar, ose kur i bëjnë padrejtësi vetvetes, e përmendin Allahun dhe kërkojnë falje për gjynahet e tyre. E kush i fal tjetër gjynahet, përveç Allahut? Ata nuk vazhdojnë më me atë gjë që kanë bërë më parë, sepse e dinë.  Shpërblimi për ata është falja nga Zoti i tyre dhe Xhenetet, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku ata do të jenë përjetësisht. Sa i mirë është shpërblimi i atyre që punojnë (punë të mira)! [Al Imran 132 – 136].