Select Page

– ”(Kujto) kur ai i tha të atit: “O babai im! Përse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe nga i cili nuk ke asnjë dobi?” – Duke e këshilluar që të hiqte dorë nga adhurimi i idhujve, Ibrahimi i tha të atit plot ngrohtësi, edukatë e mirësjellje: O babai im, pse adhuron atë që as nuk dëgjon, as nuk sheh dhe as nuk ke dobi prej tij? A nuk e sheh që putat kanë cilësi dhe atribute të mangëta? Ata nuk dëgjojnë, nuk shikojnë dhe nuk kanë në dorë as dëm e as dobi, as për veten e as për adhuruesit e tyre.

Ky ishte një argument i qartë që tregonte se adhurimi i diçkaje të mangët është vepër e shëmtuar dhe e papranueshme, si nga ana logjike, ashtu edhe nga argumentet fetare. Me këto fjalë, Ibrahimi i dha edhe një mesazh tjetër të nënkuptuar: Meriton të adhurohet vetëm Ai që është Absolut dhe i Plotë në të gjitha emrat, cilësitë dhe veprat e Tij; çdo mirësi që u vjen robërve  është dhuratë prej Tij dhe çdo shpëtim nga e liga është mëshirë e Tij. Ai është Allahu i Lartësuar dhe i Vetëm.