Select Page

– “Vetëm tek Ai do të jetë kthimi juaj. Premtimi i Allahut është i vërtetë. ” – Ky është një premtim i pakthyeshëm dhe i sigurt. Allahu do t’ju tubojë të gjithëve pas vdekjes një ditë të caktuar, që është Dita e Ringjalljes dhe e llogarisë me drejtësi. Mendohuni me kujdes në këtë premtim dhe në madhështinë e pushtetin e Atij që e ka dhënë! Allahu i lartësuar thotë:

– ” Ai e filloi krijimin e pastaj e rikthen atë (pas vdekjes), …” –  Kjo është shumë e thjeshtë për t’u kuptuar. Ai që ka pushtetin për ta filluar krijimin nga hiçi është i plotpushtetshëm edhe ta ribëjë atë. Çdokush që beson se Zoti ka krijuar gjithçka dhe pastaj mohon faktin që Ai mund t’i ringjallë krijesat pas vdekjes së tyre, është thjesht kryeneç e kokëfortë, që këmbëngul në inatin dhe mosbesimin e Tij.

Këta janë njerëz të pamend, që mohojnë dy mundësi të njëjta, madje mohojnë ekzistencën e asaj që është më e thjeshta ndër dy rastet e ngjashme. Ky është një argument shumë i thjeshtë logjik për të besuar ringjalljen. Pastaj i Lartësuari sjell edhe argument tekstual, kur thotë: “Premtimi i Allahut është i vërtetë.” Ky është një premtim i vërtetë i dhënë nga Krijuesi, që patjetër do të realizohet. Ajo është koha kur çdokush do të marrë atë që meriton. I Lartësuari thotë:

– “… për t’i shpërblyer ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira me drejtësi. “ – Këta i hapën zemrat e tyre sinqerisht, për t’i mbushur me imanin e pastër dhe korrekt që Zoti ka urdhëruar. Ata nuk besuan thjesht me fjalë goje dhe pretendime boshe, por e përkthyen besimin në vepra të mira dhe në një model jetese sipas tij. Ata kryen veprat e mira të urdhëruara nga Zoti, të detyrueshme qofshin apo të pëlqyeshme.

Ata do t’i shpërblejë i Lartësuari, sikurse thotë: “bil kist“, pra, me drejtësinë dhe bamirësinë e Tij të madhe. Ai do t’i shpërblejë për imanin korrekt, të pastër dhe të sinqertë dhe për veprat e tyre të mira dhe të sinqerta. Ai do t’u dhurojë një shpërblim, që – ashtu sikurse i ka njoftuar adhuruesit e Tij të sinqertë, – syri nuk e ka parë, as veshi e ka dëgjuar dhe askush nuk mund ta imagjinojë apo përfytyrojë dot nga krijesat. Atje do të kenë çdo gjë që ua kënaq shpirtin, syrin, trupin dhe zemrën.

– ” Ndërsa për ata që mohuan, ka pije të valë dhe dënim të dhembshëm, për shkak se ata mohonin (besimin e drejtë).” – Ata që i mohuan shpalljet e Zotit, duke i konsideruar ato si mashtrime e trillime, ata që refuzuan të pasojnë të dërguarit e Zotit dhe udhëzimin e sjellë prej tyre, ata do të kenë: “…pije të valë dhe dënim të dhembshëm, për shkak se ata mohonin (besimin e drejtë).”

Pra, ujë të përvëluar, që ua përcëllon fytyrat dhe ua shkrin e copëton zorrët. Veç kësaj, ata do të kenë edhe shumë dënime të tjera të dhimbshme të Xhehenemit. Të gjitha këto i merituan, për shkak të kufrit të tyre, domethënë të mohimit të Zotit dhe shfrenimit në padrejtësi e mosbindje. Allahu i Lartësuar nuk u bën asnjë padrejtësi, por janë ata që i kanë bërë vetes së tyre padrejtësi.