Select Page

Allahu i Madhëruar, duke qartësuar (rububije-n) 95 Zotërimin dhe sundimin e Allahut, (uluhije-n) 96  meritën e adhurimit të Tij si Një dhe i Vetëm dhe madhështinë e Tij, thotë:

– ” Zoti juaj është Allahu, i Cili krijoi qiejt e Tokën brenda gjashtë ditësh dhe pastaj qëndroi mbi Arsh.” – Ai i krijoi ato në gjashtë ditë, edhe pse është i plotfuqishëm t’i krijonte ato në një çast të vetëm. Me këtë, Ai dëshiroi të shfaqte dukshëm urtësinë e Tij dhe të tregojë se Ai është i Butë dhe i mëshirshëm në veprat e Tij. Ngaqë është i Urtë, Ai i krijoi ato me të vërtetën dhe për hir të së vërtetës.

Ai dëshiroi që krijesat ta njohin me emrat dhe cilësitë e Tij të bukura dhe absolute, me atributet dhe veprat e Tij të mrekullueshme dhe madhështore dhe ta adhurojnë si Një të vetëm. Pastaj, pas krijimit të qiejve dhe të Tokës, i Madhëruari u lartësua dhe qëndroi mbi Arsh ashtu si i shkon madhështisë së Tij.

– “Është Ai që i rregullon çështjet. Ai rregullon dhe administron çështjet e botës qiellore dhe të asaj tokësore, Ai jep jetën dhe e sjell vdekjen, ai e zbret rizkun dhe i rrotullon e i këmben ditët e triumfit mes njerëzve. Është ai që largon fatkeqësinë e dëmin nga të dëmtuarit dhe është Ai që u përgjigjet lutësve.

Të gjitha llojet e përkujdesjes zbresin dhe vijnë nga Ai dhe janë në dorën e Tij, ndërsa nevojat e robërve  ngjiten pa pushim tek Ai. Të gjitha krijesat janë të përulura, të nënshtruara e nevojtare para krenarisë së Tij, të dobëta e të pa fuqishme para pushtetit dhe madhështisë së Tij. Ai thotë:

– “S’ka ndërmjetësues tek Ai në asnjë mënyrë, veçse me lejen e Tij. ” – Askush nuk mund të bëjë ndërmjetësim, edhe sikur të jetë më i miri i krijesave, derisa Allahu të jape leje për këtë ndërmjetësim. Por Allahu i Lartësuar jep leje për ndërmjetësim veçse për ata me të cilët është i kënaqur që të ndërmjetësojnë dhe të ndërmjetësohet për ta. Dhe dihet me siguri se Allahu i Madhëruar është i kënaqur veçse me të sinqertët, që e kanë plotësuar dhe pastruar teuhidin, pra, njësimin e Tij në çdo aspekt.

– “Ai është Allahu, Zoti juaj. Pra, adhurojeni Atë!” – Ky është Allahu, Zoti juaj. Ai është Allahu, i përshkruari me të gjitha cilësitë absolute si i vetmi i Adhuruar. Ai është Rabbukum – Zoti, Krijuesi, Kujdestari Rregulluesi i veprave tuaja. Si i tillë, Ai është i përshkruar me rububije-n e plotë, përmbledhëse e të gjitha cilësive absolute të veprave të Tij. Prandaj vetëm Atë adhurojeni si Një të vetëm, me të gjitha llojet e adhurimeve.

– “A nuk po kujtoni?” – Kujtoni të gjitha ato fakte e argumente të shumta, që tregojnë se Ai është i vetmi që meriton t’i përkushtohen të gjitha adhurimet dhe lavdet (hamdet)97 . Ai është Madhështori, Bujari i Gjithëmëshirshëm. Në ajetet e mësipërme, i Lartësuari përmendi se Ai është Sunduesi i gjithësisë dhe Kujdestari i çdo çështjeje në të. Është Ai që, me urtësinë, diturinë dhe mëshirën e Tij, ka vendosur ligjet e krijimit, të ekzistencës dhe të funksionimit të kësaj dynjaje.

Është po Ai që ka vendosur edhe ligjet e Sheriatit dhe të fesë së Tij, përmes të cilave i mëson dhe urdhëron krijesat si ta adhurojnë Atë dhe të rregullojnë ligjet e jetës së tyre në këtë dynja. Qëllimi thelbësor i këtij ligji është që Allahu të jetë i vetmi i adhuruar nëpërmjet mënyrës që Ai e ka përcaktuar me anë të shpalljeve të Tij.

Pasi përmendi këto çështje të rëndësishme, Allahu i Madhëruar tregon ligjin e shpërblimit, që, sigurisht, është veçse në dorën e Tij. Ai na kujton se do të na marrë në llogari dhe secilin do ta shpërblejë sipas veprave të kryera në këtë dynja. Ai thotë:

95 Reth teuhidit Rububije Shejh Uthejmini thotë: Përkufizimi i tij: Hue ifrâdull-llâhi Bil  ħalķi uel mulki uet-tedbîri / Njësimi i Allahut  në aspektin  e krijimit, pushtetit e mbretërimit, dhe të administrimit dhe pushtetit për të vepruar në gjithësi.

Pyetje: Çdo të thotë ifrâdull-llâhi bil  ħalķ / Njëhsimi i Allahut  në aspektin  e krijimit?

Përgjigje: Të njësosh Allahun në aspektin  e krijimit do të thotë:  “Që njeriu të besojë në mënyrë të sigurt dhe  të pa tundur se nuk ka Krijues  tjetër  të gjithçkaje veç Zotit”. Thotë i lartësuari: E lâ lehul ħalķu uel emru. Vetëm  Atij i takon  Krijimi dhe sundimi  mbi gjithçka. El ea’raf 54.

Kjo fjali e  përkufizon  e specifikon  pushtetin për të  krijuar  dhe sunduar vetëm për Allahun  e lartësuar. Thotë i lartësuari: “A ka ndonjë Krijues  tjetër veç Allahut që t’ju furnizojë juve prej qiellit dhe tokës? Fatir 3. Këto ajete na japin  të kuptojmë se pushteti për të krijuar, për të sunduar, për të urdhëruar dhe ndaluar, për të furnizuar nga qielli dhe toka, janë veçse në dorën e Allahut  dhe  cilësi vetëm  e Tij, e askujt tjetër.

Pyetje: Allahu i  lartësuar  thotë në Kur’an:  “I madhëruar qoftë  Allahu,  Krijuesi  më i mirë”. Gjithashtu  profeti a.s duke na treguar për ndëshkimin  e madh  që i pret ata që  pikturojnë (krijesa me shpirt) na njofton se në ditën e gjykimit Allahu i  lartësuar u drejtohet  atyre dhe u thotë:  “Aĥjû ma ħaleķtum / jepini  jetë asaj  që  krijuat. Në të dyja këto tekste mund të kuptohet  se ka edhe krijues të tjerë veç Allahut. Si mund t’i përgjigjemi kësaj?

Përgjigje: Ky krijim për të cilin  aludohet  nuk është krijim i mirfilltë, i vërtetë. Krijim do të thotë të sjellësh në egzistencë diçka që nuk ka egzistuar. Pra krijimi për të cilin  aludohet, nuk është sjellja në egzistencë e diçkaje pasi nuk  egzistonte fare. Kjo është thjesht  një transformim  i diçkaje, nga një gjendje në një gjendje tjetër.

Pastaj, gjithashtu  mund të themi se ajo është e kufizuar  dhe jo gjithpërfshirëse. Pra ajo aftësi  është e kufizuar brenda mundësive  të njeriut dhe e ngushtë brenda një rrethi  caktuar. Pra edhe pse  krijesat kanë një aftësi të tillë në “krijim”, kjo nuk bie ndesh  me fjalën tonë dhe besimin në (Ifrâdull-llâhi bil  ħalķ/ njësimin e Zotit  në aspektin  e krijimit).

Pyetje: Çdo të thotë ifrâdull-llâhi bil mulk / Njëhsimi i Allahut  në aspektin  e pushtetit dhe mbretërimit?

Përgjigje: Të njësosh Allahut në aspektin e pushtetit dhe mbretërimit dmth: “Që të besosh bindshëm  dhe pa mëdyshje se krijesat i zotëron  dhe sundon  veçse Krijuesi i tyre. Thotë i lartësuari:   

Lil-lâhi mulkus-semâuâti uel erđi  /  vetëm  i Allahut është pushteti, sundimi, pronësia e qiejve  dhe e tokës.

Thotë gjithashtu i madhëruari: Ķul men bi jedihî melekûtu kul-li shej’in  /  Thuaj,  në dorën e kujt  është mbretërimi, sundimi, pronësia e gjithçkaje?

Pyetje: Në  Kur’an përmenden cilësitë e besimtarëve dhe mes tyre përmenden: “… edhe ata të cilët e ruajnë nderin e vet (sa i përket jetës intime), me përjashtim ndaj grave të veta (me kurorë) dhe ndaj atyre (robëreshave) që i kanë në pronësinë e vet, për të cilat nuk janë të qortuar”. Muminun 6.  Në këtë ajet Allahu i lartësuar deklaron se edhe njeriu mund të quhet se “ka nën pronësi” diçka. Çfarë  përgjigje  mund t’i japim  kësaj? A bie kjo në kundërshtim me besimin se nuk ka pronar tjetër të kësaj gjithësie veç Zotit?

Përgjigje: Ky sundim apo  pronësi për të cilin aludohet është i kufizuar dhe i ngushtë. Ai përfshin  veçse  një pjesë  të ngushtë  prej këtyre krijesave. Njeriu  ka pushtet  dhe  pronësi  mbi pronën e tij,  jo mbi  pronën e të tjerëve. Gjithashtu  mund të themi  se kjo  është një pronësi  e  cunguar, sepse  njeriu  nuk ka pushtet  të pakufishëm mbi  pronën e tij.

Për këtë arsye  ai nuk  mund  të veprojë në të, veçse konform  asaj  mase dhe brenda kufijve të vendosur nga sherijati. Kështu  p.sh nëse  do të donte  që të digjte pasurinë  e  tij  apo t’i japë   mundim dhe  ta rrahë kafshën e tij, kjo nuk i lejohet. Ndërsa Allahu i lartësuar  ka  pushtet, pronësi, sundim  absolutisht  të plotë  dhe gjithpërfshirës në të gjitha aspektet.

Pyetje: Çdo të thotë ifrâdull-llâhi bit-tedbîr / njësimi i Allahut në aspektin  e administrimit, rregullimit të çdo çështjeje?

Përgjigje: Të njësojmë Allahun në aspektin e administrimit, rregullimit të çdo çështjeje d.m.th. që të besojmë plotësisht dhe pa mëdyshje se këtë  gjithësi nuk e  administron  dhe  nuk vepron në të askush  veç Allahut të lartësuar dhe të vetëm në pushtetin e Tij. Thotë i lartësuari  : “Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e nga Toka dhe kush e ka në dorë dëgjimin e shikimin tuaj? Kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri dhe kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli? Kush është Ai që rregullon çdo çështje?” Ata do të thonë: “Allahu”. Thuaj: “Atëherë, nuk keni frikë?”. Junus 31.

Ndërsa përsa i përket administrimit  dhe veprimit të njeriut ai është  i kufizuar dhe  i cunguar.  Ai nuk mund të administrojë veçse atë që ka nën pronësinë e tij. Nuk mund të veprojë veçse në pronën e tij dhe brenda kufijve të mundësisë së tij. Askush prej  idhujtarëve mes të cilëve u  dërgua Muhamedi a.s  nuk  e  ka kundështuar teuĥîdin rubûbij-je. Ata e pranonin këtë fakt.

Thotë i lartësuari: “Nëse ti i pyet ata “Kush i krijoi qiejt e Tokën?”, me siguri do të thonë: “I krijoi i Gjithëfuqishmi, i Gjithëdituri!”Zuhruf 9. Kështu pra  ata  e pranojnë që Allahu i lartësuar  është i vetmi që ka në dorë administrimin  dhe  pushtetin për të vepruar në gjithësi; dhe është Ai, i vetmi që ka në  dorë sundimin, pushtetin, mbretërimin, pronësinë e qiejve  dhe të tokës.

Gjithashtu  mund të themi  se askush prej krijesave nuk e  mohon faktin që Krijuesi i gjithësisë është Zoti. Askush nuk thotë se bota  ka dy  krijues  të barabartë në pushtetin dhe sundimin e tyre. Përjashtimet janë të pakta. Prej tyre mund të përmendim: 

1. Faraoni, i cili  e mohoi egzistencën e Zotit  dhe  të qënurit  e Tij krijues i gjithçkaje. Por ky mohim  ishte thjesht  një  mendjemadhësi  dhe kryeneçsi; ishte një  rebelim nga ana e  tij, edhe pse në shpirtin  e tij  e dinte me siguri se  e vërteta ishte  ndryshe. Thotë i lartësuari: “Ata i mohuan ato në mënyrë të padrejtë e me mendjemadhësi edhe pse shpirtrat e tyre ishin të bindur për to (se ishin nga Zoti).

Dhe shikoje se si qe fundi i shkatërrimtarëve!” Neml 14.  Gjithashtu  Allahu i lartësuar tregon  për fjalët  që Musa i tha Faraonit kur po polemizonte  me të. “Ai (Musai) tha: “Ti e di me siguri të plotë se ato (mrekullitë) nuk i zbriti askush tjetër përveç Zotit të qiejve e të Tokës. Ai i zbriti ato të dukshme, e unë besoj, o faraon, se ti je i shkatërruar.”. Isra 102. Pra  ai ishte  i vetëdijshëm që, Zot  është Allahu i lartësuar.  

2. Prej atyre që kanë bërë shirk në rububije  janë edhe mexhusët / adhuruesit e  zjarrit.  Ata thonë: Bota ka dy krijuesa: Errësirën  dhe dritën. Megjithatë edhe këta nuk i  konsiderojnë ata të dyja të barabarta. Ata thanë se drita është më e mirë se errësira. Drita krijon të  mirën ndërsa  errësira krijon të keqen dhe ai që krijon të mirën  është  më i mirë se ai që krijon të keqen.

Gjithashtu ata thonë se errësira është diçka  inegzistente dhe nuk jep dritë. Ndërsa drita është diçka që egziston dhe ndriçon. Gjithashtu ata thonë: Nuri  drita  është e hershme, e përjetshme sipas konceptit të  filozofëve, ndërsa për erësirën janë në kundështim a është e hershme apo e mëvonshme.

Argumenta llogjikë  që tregojnë se Krijuesi është një. 

Thotë i madhëruari: “Allahu nuk ka lindur kurrfarë biri (as nga melekët, e as nga njerëzit) dhe përveç Tij nuk ka ndonjë zot tjetër (që meriton adhurimin). (Po të kishte shumë zota) secili zot do të kishte marrë atë që kishte krijuar, dhe disa do të kishin mbisunduar mbi të tjerët. I lartë dhe i Dëlirë është Allahu nga shpifjet e tyre.” Muminun 91.

Nëse  do të themi  se bota ka dy krijuesa, secili prej tyre do të donte që të ishte i pavarur  në mbretërinë  dhe sundimin  e tij, sikurse ndodh me mbretërit dhe sundimtarët. Sepse sunduesi nuk kënaqet që të ketë pjesmarës  të tjerë në pushtetin e tij. Pastaj ai do të dëshironte që sundimi i plotë të ishte  në dorën e tij jo të mbretërve të tjerë. Ai nuk do të pranonte që ndonjë sundues  tjetër të kishte  sadopak  pushtet. Këtu kemi dy mundësi:

  1. Ose  ata të dy të jenë të pafuqishëm  kundrejt njëri-tjetrit.
  2. Ose njëri  do të  mbizotrojë mbi  pushtetin e tjetrit.

    Nëse njëri sundon mbi tjetrin  atëherë ai tjetri  nuk  meriton  të quhet Zot sepse është i mposhtur. Por edhe nëse  janë të pafuqishëm  kundrejt njëri-tjetrit, edhe në këtë rast, ata të dy  nuk meritojnë të quhen Zota, sepse Zoti i vërtetë kurrë nuk mund të jetë i paaftë apo i pafuqishëm. I pafuqishmi nuk mund të jetë Zot.

96 Reth teuhidit Uluhije Shejh Uthejmini thotë: Përkufizimi i tij: Hue ifrâdull-llâhi bil ibâdeti / Ky është njëhsimi i Allahut  të lartësuar në meritueshmërinë e adhurimit të Tij. Pra Ai  që meriton të adhurohet është vetëm Allahu i lartësuar. 

Thotë Allahu i madhëruar. A nuk e sheh ti se është Allahu Ai që e fut natën te Dita dhe Ai që e fut Ditën te Nata (duke shkurtuar herë njërën e herë tjetrën) dhe është Ai që i ka nënshtruar Diellin e Hënën, që lëvizin sipas një afati të caktuar dhe se Allahu e di mirë gjithçka që ju bëni? Po, kështu, sepse Allahu është e Vërteta, dhe se çfarëdo tjetër që ata adhurojnë veç Tij është gënjeshtër dhe se  Allahu – Ai është i Lartësuari, i Madhëruari.” Lukman 29, 30. Fjala ibâdetun  ka dy kuptime:

1. Et-teab-budu / adhurimi. Pra nënshtrimi  ndaj Allahut krenar dhe të madhërishëm  duke  kryer  urdhërat  e duke i’u larguar ndalesave të Tij, nisur nga dashuria për të dhe madhërimi  i Tij.

2. El muteab-bed bihi. Pra ajo nëpërmjet së cilës kryhet adhurimi. Ka thënë shejhul islam: “Ibadeti është një emër përfshirës i gjithçkaje që e do Allahu dhe është i kënaqur me to, qofshin  ato  fjalë apo punë, të dukshme (të jashtme) apo të fshehura (të brendshme). Njësimi i Allahut  me këtë  teuhid interpretohet duke qenë  rob i  Allahut që e njëhson  atë në aspektin  e nënshtrimit ndaj Tij, nisur nga dashuria për të dhe madhërimi i Tij, si dhe duke  e adhuruar Atë vetëm me atë rrugë të cilën e ka ligjëruar Ai.

Thotë Allahu i madhëruar: “Mos adhuro asnjë zot tjetër me Allahun, se do të bëhesh i qortuar e i braktisur! Zoti yt ka dhënë urdhër të prerë që të mos adhuroni asnjë (dhe asgjë) tjetër përveç Tij dhe të silleni mirë ndaj prindërve.” Isra 22, 23.

Dhe thotë i lavdëruari: “Të gjitha lavdërimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të botëve, të Gjithmëshirshmit, Mëshirëplotit  Sunduesit të Ditës së Gjykimit. Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë.” Fatiha 2-5. Pra  përshkrimi i  Allahut të lartësuar  si Rabul  âlemin  shërben ose konsiderohet si shkak  që Ai  të meritojë adhurimin. Ai  është Ilâh (i adhuruar) sepse Ai është Rab-bul âlemin.

Thotë  i lartësuari: “O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi ju dhe ata që ishin para jush që të bëheni të devotshëm! (Allahu është) Ai që tokën e bëri shtrat (vendbanim) për ju dhe qiellin kulm (mburojë); që prej qiellit ju lëshon ujë, nëpërmjet të cilit ju siguron lloje frytesh, si furnizim për ju. Atëherë mos adhuroni askënd tjetër përveç Allahut kur ju e dini (të vërtetën)!“. Bekare 21, 22.

Pra Ai që meriton të adhurohet si i vetëm është pikërisht  Ai që është i vetmi  Krijues. Vërtet është prej  mendjelehtësisë që ta konsiderosh  diçka  të krijuar dhe të  predispozuar që të shkojë drejt  zhdukjes, si të adhuruarin tënd të cilit  ia kushton  të gjitha adhurimet e tua. Ai është vetëm një krijesë që nuk mund  të sjellë asnjë lloj ndihme.

E si është e mundur që të shkosh tek  varri i dikujt që është bërë pluhur e ta adhurosh atë e ta lusësh që të plotësojë kërkesat e tua, ndërkohë që ai vetë ka nevojë që ti të lutesh për të. Ai nuk ka në dorë  as dobi as  dëm  as për veten e tij e si të ketë për të tjerët?! Këtë lloj  teuhidi  e rrefuzuan shumica e krijesave.

Për  këtë arsye Allahu i lartësuar  dërgoi profetët dhe u shpalli atyre librat. Allahu  i madhëruar  thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Meje, prandaj vetëm Mua më adhuroni!” Enbija 25.

97 El hamdu, el med’hu dhe el thenau.

   Kemi tre  terma që duhet ti  kuptojmë mirë dhe të mësojmë ndryshimin  dhe  dallimin  mes tyre. Ĥamdun, med’ĥun dhe thenâun. Allahu i  madhëruar na ka urdhëruar që ta lavdërojmë Atë  me dashuri madhërim e frikërrespekt sepse Ai  e do veten e Tij.  Nëse Ai  nuk  do ta donte veten e Tij nuk do të na kishte shpallur libra e as nuk do të dërgonte mes nesh Profetë e të dërguar.

Fjala “El Hamdu lil-âhi rabil alemin”  është gjurmë prej gjurmëve të dashurisë së Allahut për  veten e Tij. Hamdi përmban med’ĥ lavdërim dhe diçka shtesë. Çdo ĥamd  është med’ĥ  por jo  çdo  med’ĥ është ĥamd. Me  fjalë  të  tjera: med’ĥu  (lavdërimi)  i  përzierë me dashuri përbën atë që quhet ĥamd. Nëse së bashku me med’ĥin  (lëvdimin) nuk shprehim dashuri, atëherë nuk kemi të bëjmë me ĥamd.

Pastaj, nëse ĥamdi  përsëritet e përsëritet shumë, atëherë kemi të bëjmë me atë që quhet El thenâ përlëvdim.  Këto janë dallimet  mes ĥamd-it, med’ĥ-it  dhe thenâ-it. E kundërta e  med’ĥ-it  lëvdimit është  sharja, fyerja e cila tregon  urrejtjen  për të sharin.  Çdo  kush që e shan dhe e fyen dikë, e bën këtë sepse ai e urren atë, ashtu sikurse çdokush që e lëvdon dhe i thur ĥamde dikujt e bën këtë sepse e do atë. Dikush mund të bëjë med’ĥ, pra të lëvdojë dikë sa për sy e faqe, ose nga  frika, por askush nuk mund të thuhet se bën ĥamd thurr lavde për dikë, pa pasur  dashuri për atë. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme që duhet kuptuar mirë.