– ”Por edhe dënimi Im është Dënim i dhembshëm.” – Nuk ka ndëshkim që të mund të krahasohet me ndëshkimin e Allahut. Askush nuk mund ta përshkruajë dhe përkufizojë atë ndëshkim. I kërkojmë mbrojtje dhe strehim Zotit që të na ruajë nga ndëshkimi i Tij. Nëse ata e mësojnë se: “Atë Ditë, askush nuk mund të dënojë si Ai e askush nuk mund të lidhë me pranga si Ai.” [Fexhër 25, 26], atëherë do të tregohen gjithmonë të kujdesshëm dhe do të largohen nga çdo shkak i ndëshkimit të tyre.
Kështu, zemra e tyre duhet të sillet gjithnjë mes frikës dhe shpresës, duke kujtuar si shpërblimet, ashtu edhe kërcënimet. Sa herë që zemra mediton për mëshirën e Zotit, faljen e Tij të gjerë, bujarinë dhe përkujdesin e Tij të pashembullt, do të lindë nxitja për punë të mira dhe qetësia, që vjen nga shpresa për faljen e gjynaheve.
Por nga ana tjetër, nëse vështron gjynahet dhe mangësitë e shumta në plotësimin e përgjegjësive dhe detyrimeve ndaj Zotit dhe në të gjitha aspektet e jetës, do të lindë ndjenja e frikës nga ndëshkimi e Zotit, prandaj dhe do të nxitojë që të largohet prej tyre.