Select Page

– “Ai tha: “Ai (Zoti) thotë se ajo duhet të jetë lopë që nuk është përdorur për punë, nuk është përdorur për të lëruar tokën, e as për të ujitur bimët. Ajo duhet të jetë pa asnjë të metë dhe pa asnjë shenjë (ngjyrë) tjetër.” – Domethënë, pa mangësi, e pa lodhur me punë dhe pa asnjë ngjyrë a njollë tjetër në të. Atëherë, pas gjithë kësaj koklavitjeje dhe teprimi me pyetjet e tyre të panevojshme, ata thanë:

– “Tani u sqaruam plotësisht” – Kuptimi: Vetëm tani na sqarove plotësisht. Megjithatë, një reagim i tillë vinte prej paditurisë që ata kishin, pasi e vërteta u ishte bërë e qartë që në fillim. Nëse ata do të kishin marrë çfarëdolloj lope, që në krye të herës, ajo do të ishte e pranueshme dhe e mjaftueshme për të plotësuar urdhrin e Allahut të Lartësuar.

Por ata e koklavitën çështjen me pyetjet e tyre të shumta dhe të panevojshme. Për këtë arsye, merituan që edhe Allahu i Lartësuar t’ua vështirësonte dhe ngatërronte më tepër çështjen. Madje, nëse së fundmi, ata nuk do të thonin: “…në dashtë Allahu,  do ta gjejmë të vërtetën”, ata përsëri nuk do të gjenin zgjidhje.

– “Kështu, ata e therën atë, por, desh e lanë pa e bërë këtë punë.”. – Domethënë, ata e therën lopën, me cilësitë e saj të kërkuara, por gati sa nuk mbetën pa rrugëzgjidhje, për shkak të asaj natyre gërnjare, që i karakterizonte.