Select Page

Parathënia e përkthyesit

Lavdia e plotë i takon vetëm Allahut, Atë e falenderojmë dhe e lavdërojmë, tek Ai kërkojmë mbrojtje dhe strehim dhe tek Ai kërkojmë falje. Tek Allahu kërkojmë strehim dhe mbrojtje që të na ruajë nga sherri i shpirtrave tanë dhe nga fatkeqësitë që sjellin punët tona të liga. Atë që Allahu e ka udhëzuar në rrugën e drejtë ai është i udhëzuari dhe i shpëtuari, ndërsa atë që Allahu i lartësuar me urtësinë dhe drejtësinë e Tij e ka lënë në humbje, askush nuk mund ta udhëzojë në rrugën e drejtë. Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar të meritueshëm veç Allahut dhe dëshmoj dhe deklaroj se Muhamedi a.s. është robi dhe i dërguari i Allahut.

Profeti (a.s) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai që e mëson Kur’ânin dhe ua mëson atë të tjerëve.” Pa dyshim, aspekti më i rëndësishëm i mësimit të Kur’ânit përveç mësimit të leximit të tij, është kuptimi i tij saktësisht dhe nxjerrja e mësimeve prej tij. Vetëm me një kuptim të saktë të Kur’ânit dhe me zbatimin rrigorozisht të mësimeve të tij robi do të mund të gjejë rrugën e drejtë që e çon tek Zoti i tij. Allahu i lartësuar e ka bërë këtë Kur’ân udhëzim dhe mëshirë, shërim dhe qetësim për zemrat e besimtarëve. Por Kur’âni nuk mund të jetë i tillë nëse nuk kuptohet saktësisht, ashtu sikurse e kuptoi Profeti (a.s) dhe shokët e tij. Ai nuk mund të jetë i tillë nëse nuk zbatohet në jetën e përditshme të muslimanit dhe muslimanes. Prandaj është detyrë për çdo musliman që ta kuptojë këtë Kur’ân dhe të japë maksimumin e tij për të punuar me të dhe për të ftuar të tjerët në atë mirësi që ofron Fjala e Zotit.

Dijetarët, që nga kohët e para e deri më sot i kanë dhënë një rëndësi shumë të madhe tefsirit të Kur’ânit. Tefsirët e shkruajtur janë të shumtë dhe sejcili prej tyre i ka dhënë rëndësi aspekteve të caktuara. Dikush e ka shpjeguar këtë Kur’ân nga ana gjuhësore duke e analizuar çdo fjalë dhe fjali të këtij Libri dhe duke qartësuar gjithçka në të. Disa të tjerë i kanë dhënë rëndësi shpjegimit të Kur’ânit nëpërmjet haditheve të Profetit (a.s) dhe fjalëve të sahabëve dhe tabi’inëve. Të tjerë i kanë dhënë rëndësi përnxjerrjes së ligjeve dhe dispozitave nga ajetet kur’ânore, e kështu me rradhë.

Ndër ata që janë marë me tefsirin e Kur’ânit famëlartë, është edhe shejħ Abdur-raĥman ibnu Naŝir El sa’dij, Allahu e mëshiroftë. Ai është prej dijetarëve të njohur të kohëve të fundit. Ndër cilësitë e këtij tefsiri mund të përmendim se ai nuk është i tejzgjatur dhe as tepër i shkurtuar. Ai është i mbushur me dobi të shumta dhe përfshin në vetvete mësime shumë të vyera në shumë fusha; në fushën e akides, moralit, ligjeve dhe dispozitave të përfituara nga ajetet etj, etj. Lexuesi çdo ajet që kalon, e kupton atë qartësisht dhe nxjerr prej tij mësime të shumta. Gjuha e tij është shumë e thjeshtë, e kuptueshme dhe çdo kush mund të kuptojë dhe të përfitojë prej tij.

E lus Allahun e lartësuar që të na bëjë nga ata që e mësojnë Kur’ânin, e zbatojnë atë në jetën e tyre dhe ua mësojnë atë edhe të tjerëve. Ai është Bujar, Bamirës dhe Mëshirëplotë. Paqja bekimet dhe mirësitë e Allahut qofshin mbi Muhamedin, familjen e tij, shokët e tij dhe të gjithë ata që e pasuan atë me sinqeritet deri në ditën e gjykimit!

Uthman Agolli