– “Ne dërguam para teje si të dërguar vetëm se burra nga banorët e qyteteve, të cilët i pajisëm me shpallje.” – Kuptimi: Nuk kemi dërguar melekë ose krijesa të tjera si profetë për njerëzit, por kemi zgjedhur burra nga vetë radhët e popujve. 105 Atëherë, përse habitet populli yt për profetësinë tënde?! Edhe ti je si të gjithë profetët 106 para teje, madje më i zgjedhuri mes tyre.
Zoti u shpalli të gjithëve udhëzime hyjnore. Allahu i Madhëruar i përzgjodhi ata nga banorët e qyteteve të mëdha, sepse ata dalloheshin për logjikën më të shëndetshme, por edhe që çështja e tyre të përhapej më shpejt dhe më lehtë.
– “A nuk udhëtojnë nëpër tokë e të shohin se si qe përfundimi i më të hershmëve?” – Nëse nuk të besojnë ty, atëherë pse nuk udhëtojnë nëpër tokë dhe të shohin se si ishte përfundimi i brezave të mëparshëm?” A nuk i shohin vendbanimet e tyre të shkretuara, për të kuptuar se si i ndëshkoi Zoti ata, për shkak të mosbesimit dhe refuzimit të Shpalljes së tij? Kjo duhet t’ju japë një mësim të mirë, që të mos bëni të njëjtin krim si ata dhe pastaj të meritoni të njëjtin ndëshkim si ata. Kujtoni, gjithashtu, edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm:
– “S’ka dyshim se jeta e ardhshme është shumë më e mirë për ata të cilët ishin të devotshëm.” – Bukuritë dhe begatitë e Xhenetit janë të përjetshme dhe të posaçme për ata të cilët janë ruajtur. Ata i druhen ndëshkimit dhe zemërimit të Zotit, duke përmbushur me korrektësi dhe sinqeritet urdhëresat e Tij dhe duke iu larguar ndalesave të Tij. Ata e dinë mirë se dynjaja, me të gjitha stolitë e saj, është një kënaqësi e përkohshme, e shoqëruar me mundime e vuajtje dhe që një ditë do të marrë fund. Ndërsa mirësitë e ahiretit janë të plota, të përkryera e të pastra nga çdo mangësi. Ato kurrë nuk kanë për të përfunduar apo për t’u zbehur, madje do të jenë në shtim e zbukurim të përjetshëm e të pandërprerë.
– “A nuk po logjikoni, atëherë?” – A nuk keni aq logjikë sa për t’i dhënë përparësi asaj që është më e mirë kundrejt diçkaje që është e papërfillshme dhe e përkohshme?!
105 Nga mëshira e madhe e për krijesat, Krijuesi dërgoi ndër ta profetë, si përgëzues e qortues. Ata u bëjnë të njohur njerëzve qëllimin e jetës së tyre dhe ua prezantojnë saktësisht Zotitn e tyre, ashtu sikurse është në të vërtetë, të lartësuar e të pastër nga çdo e metë. Kush është Allahu, cilët janë emrat cilësitë e atributet e Tij? Çfarë dëshiron Ai prej nesh, për çfarë na urdhëron e nga çfarë na ndalon. Çfarë shpërblimi ka ai që i bindet e çfarë ndëshkimi ka ai që nuk i bindet?
Kështu këta profetë janë ndërmjetësit mes Zotit dhe krijesave, për sa i përket transmetimit të qartë të mesazhit të Tij. Ata përcjellin me besnikëri e korrektësi mesazhin e Zotit për krijesat e Tij. Ata u mësojnë dhe i edukojnë njerëzit me atë që u bën dobi në dynja dhe në ahiret. Ata u bëjnë të qartë njerëzve çdo gjë që e kënaq Zotin e tyre dhe çdo gjë që e zemëron Atë. Kështu, njerëzit duhet të bëjnë atë që Zoti do dhe pëlqen dhe duhet të largohen e të ruhen nga çdo gjë që e zemëron të Madhërishmin.
Nevoja e njerëzve për profetët është shumë e madhe. Madje, sikurse thotë Imam Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!), nevoja e tyre për profetët dhe Sheriatin e Zotit është jetike. Ajo është shumë e rëndësishme, madje më e rëndësishme se çdo nevojë tjetër. Sheriati të jep mundësinë e njohjes së çdo gjëje që kënaq Allahun e Madhëruar.
Nëpërmjet Sheriatit, i Madhëruari na mëson urdhëresat e Tij dhe na shtjellon rrugët e mira për realizimi e tyre. Sheriati na mëson se cilat janë veprat që shkaktojnë zemërimin e të Madhërishmit dhe që Ai na i ka ndaluar. Ai na mëson ligjet e adhurimit të Zotit, por edhe ligjet e marrëdhënieve ndër njerëzore në të gjitha aspektet.
Për këtë arsye, njeriu, – me përzgjedhjen e tij të lirë, – duhet të adhurojë Zotin e tij nëpërmjet këtij Sheriati, i cili mund të përftohet veçse përmes Shpalljes së dhënë nga Zoti përmes profetëve. Sado të përpiqet e hulumtojë logjika e njeriut, ajo kurrë nuk mund të gjykojë me saktësi se çfarë dëshiron Zoti prej tij. Kjo njohuri përftohet thjesht dhe vetëm nga Shpallja e Zotit.
Imam Ibn Kajimi vazhdon më tej: “Nëse njeriut i pengohet frymëmarrja, ushqimi e pija, e shumta që atij do t’i ndodhë është vdekja e trupit dhe largimi i shpirtit nga trupi. Por nëse atij i ndalohet Sheriati e privohet nga njohja e Shpalljes së Zotit, kjo do të sjellë shkatërrimin e zemrës dhe të shpirtit, gjë që është shumë herë më e frikshme dhe e dhimbshme sesa thjesht vdekja trupore.” [Shih “Zadul Mead”].
106 Disa parime në lidhje me besimin në profetët e Zotit:
1. Profetësia është një dhunti nga Allahu i Madhëruar, që nuk mund të përfitohet apo kultivohet nga vetë njeriu.
2. Nevoja e njerëzve për profetët është domosdoshmëria më e madhe.
3. Profetët janë të shumtë, edhe arsyet për këtë janë të shumta.
4. Besimi te profetët është një themel i rëndësishëm i besimit Islam.
5. Ai që mohon një profet konsiderohet se i ka mohuar të gjithë.
6. Profetët dhe lajmëtarët e Zotit janë më të mirë se çdo njeri tjetër. Kushdo që pretendon se ndonjë njeri është më i dalluar dhe i përzgjedhur se profetët, është qafir.
7. Profetët e Zotit janë më të kompletuarit mes të gjithë njerëzve, në të gjitha aspektet.
8. Profetët e Zotit janë të pastër nga shpifjet dhe trillimet e mosbesimtarëve.
9. Profetët u përzgjodhën të jenë prej njerëzve dhe jo prej melekëve.
10. Profetët janë të gradave të ndryshme dhe më i miri është Muhammedi a.s.
Disa nga veçoritë e profetëve:
1. Atyre u vjen Shpallja nga Zoti.
2. Ata janë të ruajtur nga gjynahet e mëdha dhe cenuese të personalitetit, por jo nga gjynahet e vogla. Mendimi më i saktë është që ata bëjnë gjynahe të vogla, por Allahu nuk i lë të vazhdojnë në to. Ata pendohen dhe nuk i përsërisin më ato.
3. Sytë e tyre flenë, por zemra e tyre nuk fle, sikurse është shënuar nga Buhariu dhe Muslimi.
4. Atyre u jepet leja për të përzgjedhur në momentin e vdekjes, sikurse thuhet në një hadith tek Buhariu dhe Muslimi.
5. Toka nuk e ha (tret) trupin e profetëve. Nëse hap varrin e çdo profeti do ta gjesh sikurse është varrosur, i pacënuar, sepse Allahu i lartësuar ia ka bërë haram tokës që ta tresë trupin e profetëve, sikurse thuhet tek Ebu Daudi dhe Nesaij me isnad sahih.
6. Profetët janë varrosur mu atje ku kanë ndërruar jetë. Kështu Profeti (a.s) vdiq në shtëpinë e tij dhe po atje u varros.
7. Profetët nuk lënë pas trashëgimi pasurore e materiale. Pasuria materiale që ata lënë konsiderohet sadaka. Kjo thuhet në një hadith te Buhariu dhe Muslimi.
8. Profetët lënë si trashëgimi diturinë: Profeti (a.s.) ka thënë: “Profetët nuk lënë trashëgimi dirhem e dinarë, por lënë trashëgimi diturinë. (Ebu Daudi me isnad sahih).
9. Profetët kanë qenë burra dhe kurrë femra. Ata kanë qenë njerëz të lirë dhe kurrë skllevër.
10. Ata mbeten njerëzit më të plotë fizikisht, moralisht dhe në çdo aspekt tjetër.
11. Urimi: “Sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem” është i posaçëm për ta. Mbase mund të lejohet edhe për njerëzit e tjerë, me disa kushte, por për ta është e veçantë.
12. Ata janë të zgjedhur e të dalluar nga vetë Zoti.
13. Çdo profeti, Zoti i ka mundësuar një lutje të pranuar. (Buhariu dhe Muslimi)
14. Çdo profet do të ketë haudin (pusin) e tij në Ditën e Gjykimit. (Ahmedi me isnad hasen).
15. Profetët kanë qenë banorë të qyteteve të mëdha, dhe jo endacakë apo nomadë e beduinë.
16. Ata nuk shihnin ëndrra prej shejtanit, nga të cilat të ejakuloheshin në gjumë, sepse kjo vjen prej shejtanit, dhe shejtani nuk mund të ketë pushtet mbi profetët.