Pasi i tregoi këtë histori të mrekullueshme, Allahu i Madhëruar i drejtohet profetit të tij të dashur, Muhamedit a.s, dhe i thotë:
– “Këto janë nga ato ngjarje të panjohura, që Ne po t’i shpallim ty.” – Këto histori që po të tregojmë ishin të panjohura për ty, dhe nëse nuk do të ishte shpallja e Zotit, ti nuk do të dije asgjë rreth tyre. E kush mund të ta sjellë ty këtë shpallje madhështore, përveç Zotit të Madhërishëm, që kujdeset për shpalljen e Tij?! Ti nuk kishe asnjë mundësi informacioni rreth këtyre ngjarjeve.
– “Ti nuk ishe pranë tyre kur ata vendosën për çështjen e tyre dhe kur thurën intrigat e tyre.” – A ishe ti i pranishëm me vëllezërit e Jusufit kur ata planifikonin për ndarjen mes Jusufit dhe të atit? Në atë gjendje ata nuk i vështronte dhe mbikëqyrte askush, përveçse Zoti i Madhërishëm, që i di mirë intrigat e shejtanit të mallkuar. Askush nuk mund të ta silltë këtë informacion kaq të detajuar dhe korrekt, veçse Ai që i di të gjitha.
Po kështu i tha Allahu i Lartësuar Muhamedit a.s, pasi i tregoi historinë e Musait: “Ti nuk ishe në anën perëndimore, kur Ne i besuam Shpalljen Musait, e as nuk ishe dëshmitar në këtë ngjarje. Pastaj, Ne krijuam brezni të tjera, që jetuan shumë gjatë. Ti nuk ke banuar mes banorëve të Medjenit, që t’iu lexosh ajetet Tona, por Ne të dërguam ty si Profet.
Ti nuk ke qenë as pranë kodrës Tur, kur Ne e thirrëm atë (Musain). Kjo është mëshirë nga Zoti yt, për t’i tërhequr vërejtjen një populli, të cilit nuk i kishte ardhur ndonjë profet para teje, që të merrte mësim.” [Kasas 44-46].
Gjithashtu, në lidhje me historinë e Merjemes, nënës së Isait a.s. Ai thotë: “Këto janë disa nga historitë e panjohura, që po t’i përcjellim ty. Ti nuk ishe atje, kur ata hidhnin short se cili prej tyre do të bëhej kujdestar i Merjemes. Ti nuk ishe pranë tyre as kur ata grindeshin me njëri-tjetrin.” [Al Imran].
Ose shembull tjetër: “Po kështu, Ne të shpallëm edhe ty Shpirtin (Kur’anin). Ti nuk e dije se çfarë qe Libri apo besimi, por Ne e bëmë atë dritë, me të cilën udhëzojmë në rrugë të drejtë ata që dëshirojmë prej robërve Tanë. Pa dyshim, edhe ti udhëzon në rrugën e drejtë, në rrugën e Allahut, të Cilit i takon ç’ka në qiej dhe ç’ka në tokë. Ta dini se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet.” [Shura 52-53]. Të gjitha këto tregojnë qartë se Muhamedi ishte i dërguari besnik dhe i zgjedhur i Allahut të Madhëruar.