Allahu i Madhëruar e plotësoi bamirësinë e Tij ndaj Jusufit duke i bërë vend në tokë dhe duke i dhuruar pushtet e sundim të gjerë. Pas gjithë atyre sprovave, Allahu ia qetësoi shpirtin dhe sytë e tij, duke ia sjellë pranë prindërit dhe vëllezërit e vet, që aq shumë i donte. Ai i dhuroi Jusufit dituri të madhe, duke e dalluar mbi shumë të tjerë. Për këtë arsye, duke shprehur mirënjohjen e thellë, duke lavdëruar Dhuruesin e tyre dhe duke u lutur që Ai t’ia ruante dhe shtonte këto të mira, Jusufi tha:
– “O Zoti im! Ti më dhurove mua pushtet të madh …” – Jusufi ishte bërë përgjegjësi i depove të mbretërisë, një pozitë shumë e rëndësishme për kohën.
– “… dhe më mësove shpjegimin e ëndrrave.” – Allahu i Madhëruar i mësoi atij shpjegimin e ëndrrave, njohuritë e librave të shpallur dhe shumë gjëra të tjera të dobishme.
– O Krijues i qiejve dhe i tokës! Ti je Mbrojtësi im në dynja e në ahiret. Më bëj të vdes si musliman dhe më bashko me të mirët!” – Përjetësoje islamin, që është dorëzim i plotë ndaj Teje, dhe ma përqendro zemrën në këtë besim të mrekullueshëm! Më bëj që kurrë të mos largohem nga adhurimi Yt si Një i vetëm, përmes ligjeve të shpallura nga Ti, derisa vdekja të më gjejë si një musliman i bindur tërësisht ndaj Teje! Më bashko me të mirët, me etërit e mi profetë, me besimtarët e sinqertë e punëmirë, me të zgjedhurit e sinqertë dhe të kulluar!